Protesta e opozitës/ Gazetari Qarri: Sulmi ndaj Berishës ishte i planifikuar, qytetarët tejkaluan partitë…
Protesta e opozitës e mbajtur një ditë më parë para Kryeministrisë dhe Parlamentit, e cila kulmoi me përplasje të dhunshme, është analizuar në detaje nga gazetari Flavio Qarri gjatë një interviste me Bled Markun në Syri tv. Sipas tij, reagimi i Policisë së Shtetit ishte i paprecedentë dhe shënjestroi në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të planifikuar liderin e opozitës, Sali Berisha.
Në një analizë të situatës, Qarri thekson se përdorimi i gazit lotsjellës dhe ujit me presion nuk ishte një reagim proporcional, por një sulm i mirë menduar. "Në mënyrë nominative dhe fizike u sulmua lideri i opozitës. E tillë ka qenë edhe drejtimi i ujit, por edhe i gazit lotsjellës të hedhur nga policia. Shpresa ka qenë që me sulmin e Berishës, të gjithë të tjerët do të merrnin mesazhin e qartë dhe do të iknin nëpër shtëpia,” deklaroi ai. Ky plan, sipas analistit, kishte për qëllim shpërndarjen e protestës përmes frikësimit.
Megjithatë, pika më e rëndësishme e analizës së tij është transformimi i protestës. Ai argumenton se ngjarjet e djeshme tejkaluan kornizat e një tubimi partiak. "Lajmi më i mirë i ditës së djeshme është që ajo protestë u hoq nga duart e Partisë Demokratike dhe u bë protestë e qytetarëve. Ajo që ka ndodhur te Parlamenti e tejkalon Partinë Demokratike, e tejkalon opozitën politike,” shprehet Qarri. Sipas tij, qeveria e Edi Ramës e ka humbur legjitimitetin që prej vitit 2021 dhe tashmë po qëndron në pushtet përmes forcës, duke u shndërruar në "uzurpatore".
Për herë të parë, qytetarët nuk u tërhoqën, por iu kundërpërgjigjën forcave të rendit. "Pamë kundërpërgjigje. Pamë ata policë që kanë ngrënë të njëjtin gaz që i kanë hedhur qytetarëve. Për herë të parë pamë qytetarët që ia kthenin me të njëjtën monedhë,” vuri në dukje analisti. Kjo, sipas tij, tregon se protestuesit nuk ishin më aty për militantizëm partiak, por si njerëz që e dinë se po u vidhet e ardhmja në një mënyrë që ai e cilëson si "vjedhje barbare 100%", një fenomen i panjohur më parë në historinë e vendit dhe të krahasueshëm vetëm me diktatura të egra.
Bled Marku: Km kënaqësinë të kem në studio kolegun Flavio Qarri, i cili ka lënë skenën mund të themi të kafesë shqeto duke na u bashkuar tek edicioni i lajmeve. Flavio, mirë se erdhe.
Flavio Qarri: Përshëndetje, faleminderit.
Bled Marku: Atëherë po nisim menjëherë bisedën, pasi sigurisht mbrëmjen e djeshme opozita protestoi. Kërkon largimin e Edi Ramës, arrestimin e Ballukut. Në një moment të caktuar pamë që turma, deputetët dhe sidomos skena ku qëndronte lideri i opozitës u sulmua me gaz lotsjellës. Ju si e patë këtë reagim joproporcional të Policisë së Shtetit mbrëmjen e djeshme dhe çfarë ishte ky mesazh kaq i dhunshëm nga vetë policia?
Flavio Qarri: Policia e Shtetit dhe reagimi proporcional ka kohë që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Sigurisht në çdo protestë që ka pasur, që i ka tejkaluar aktivitetin e zakonshëm politik, kemi parë gjithmonë një reagim jo proporcional, një dhunë në disa raste edhe çnjerëzore. Sa i takon ditës së djeshme, kam përshtypjen se ka pasur një plan, le të themi, të Policisë së Shtetit dhe sigurisht të Ramës që protesta duhet të mbaronte patjetër aty. Duhet të mbaronte patjetër në atë moment dhe këtë e tregon fakti që në mënyrë nominative dhe fizike u sulmua lideri i opozitës, se nëse i rikthehemi pamjeve me kujdes, fatkeqësisht nuk ka pasur as vëmendjen e duhur dhe kjo nuk ka ndodhur me askënd tjetër përveçse me Berishën. Është sulmuar personalisht dhe fizikisht Sali Berisha ditën e djeshme. E tillë ka qenë edhe drejtimi i ujit, por edhe i gazit lotsjellës të hedhur nga policia. Dhe shpresa ka qenë që me sulmin e Berishës, sigurisht të gjithë të tjerët do të merrnin mesazhin e qartë, do të iknin nëpër shtëpia. Kjo nuk ndodhi për disa arsye dhe lajmi më i mirë i ditës së djeshme, mund të tingëllojë cinike ajo që do them, lajmi më i mirë i ditës së djeshme është që ajo protestë u hoq nga duart e Partisë Demokratike dhe u bë protestë e qytetarëve.
Dhe ajo që ka ndodhur te Parlamenti e tejkalon Partinë Demokratike, e tejkalon opozitën politike. Tanimë, ne prej vitesh, gazetarët që mund të etiketohen si kritikë ndaj qeverisë, por në optikën time janë thjesht gazetarë të këtij vendi që shohin faktet dhe i raportojnë ato dhe analizojnë ato fakte dhe nuk janë të veshur me perden e propagandës, janë të ndërgjegjshëm që qeveria e Edi Ramës e ka humbur legjitimitetin që nga 2021-shi e në vazhdim. Dhe çdo ditë, për ne është konsideruar pengmarrje e pushtetit nga ana e kryeministrit, i cili ka pasur talentin e mjaftueshëm dhe për të korruptuar ndërkombëtarët dhe sigurisht për të siguruar vazhdimësinë e tij në pushtet. Megjithatë, tanimë për këdo qytetar kjo është e qartë që nuk ka më legjitimitet qeveria e Edi Ramës. Rrjedhimisht duke mos pasur legjitimitet, ata janë uzurpatorë.
Bled Marku: Mirëpo, me intervista uzurpatorin. Kush e njeh si uzurpatorin?
Flavio Qarri: Atë e di çdo qytetar dhe e treguan mbrëmë. E tejkaluan mbrëmë opozitën. Ajo që ka ndodhur dje te Parlamenti ka qenë një protestë e qytetarëve më vete. Sigurisht e thirrur dhe e organizuar nga Partia Demokratike, patjetër e frymëzuar nga Partia Demokratike, por ka vazhduar nga qytetarët. Një gjë tjetër që s'ka ndodhur në protestat e tjera, për shembull, për të treguar pse ishte protestë e qytetarëve. Nëse e vutë re gjatë momentit kur sulmoi grupi i qytetarëve para Parlamentit me gaz lotsjellës, çfarë pamë? Pamë kundërpërgjigje. Pamë ata policë që kanë ngrënë të njëjtin gaz që i kanë hedhur qytetarëve dhe do të doja të ndalesha më pas tek gazi lotsjellës, por për herë të parë pamë qytetarët që ia kthenin me të njëjtën monedhë, sepse nuk janë qytetarë që kanë dalë më për formacionin e tyre politik apo për militantizëm. Janë njerëz që e dinë për çfarë kanë dalë. Janë njerëz që e kanë tanimë të qartë, ashtu siç e kemi të gjithë ne përtej zanatit tonë, që jo vetëm po vidhemi në një mënyrë barbare të panjohur në historinë e Shqipërisë, me shpikjen e vjedhjes 100%. Vjedhje 100% kam përshtypjen nuk ka ndodhur ndoshta në raste të rralla në diktatura të caktuara si te Marcos i Filipineve apo ndonjë tjetër në Amerikë Latine, po vjedhje 100% në mes të Evropës është e pamendueshme, e padëgjuar.
Bled Marku: Vetëm me Ramën?
Flavio Qarri: Po patjetër që vetëm me Ramën, se nuk, përderisa nuk e kemi parë me askënd tjetër sigurisht që është ekskluziviteti i Ramës ky. Ndërkohë, gazi lotsjellës, me gazin lotsjellës, me vëmendjen e shtuar të mediave ndërkombëtare jemi para një rasti ndërkombëtar ku kryeministri Edi Rama po rreshtohet në një treshe shumë të rrezikshme dhe….