'Policia intimidoj protestuesit'/ Grimci: Propaganda e qeverisë nuk mund të fshehë dhunën e përdorur

Përfaqësuesja ligjore e PD, Eda Grimci, e ftuar ditën e sotme në intervistën e mesditës në Syri TV, ka komentuar situatën e tensionuar përpara dhe brenda selisë së Partisë Demokratike gjatë protestave të fundit. Ajo ka denoncuar atë që e cilëson si një skenar të parapërgatitur nga policia, me qëllim intimidimin e protestuesve dhe shtypjen e revoltës.

Grimçi shpjegoi se ndërhyrja e forcave operative dhe pozicionimi i civilëve përpara selisë kishte për qëllim të kapte dhe ndalte qytetarët që dalin nga selia, duke përdorur gaz lotsjellës dhe mjete të tjera të papërshtatshme, përfshirë shfaqje force të panevojshme.

Ajo theksoi se ndërhyrja e policisë ishte e paprecedent dhe tejkaloi çdo masë të nevojshme, duke shtuar se selia ishte e mbytur me gaz, por demokratët ishin të përgatitur dhe nuk ishin viktima, por luftëtarë të lirisë dhe të të drejtave të tyre.

Grimci po ashtu denoncoi arrestimin e një të mituri si një akt kriminal dhe përdorim të paligjshëm të detyrës nga ana e policisë, duke premtuar kallëzim penal dhe ndjekje ligjore të plotë për çdo shkelje.

Përfaqësuesja ligjore e PD garantoi qytetarët dhe familjarët e protestuesve se asnjë prej tyre nuk do të lihet pa mbrojtje ligjore, duke paralajmëruar se çështja do të ndiqet deri në përfundim të saj dhe çdo përgjegjës do të mbajë llogari për veprimet e tij.

Deklarata e plotë:

"Ata nuk erdhën thjesht për ta arrestuar. Në momentin që përfundoi protesta te parlamenti dhe protestuesit u drejtuan për te selia, gjatë gjithë kohës janë shoqëruar me autobotin me ujë, me spec djegës dhe kanë kërkuar të bëjnë një, një shou të forcës së tyre duke kaluar përpara selisë së Partisë Demokratike, ku siç është parë edhe nga pamjet protestuesit i kanë bllokuar dhe kanë gjuajtur me shishe ujë edhe autobotin e policisë.

Në momentin që jemi futur në selinë e Partisë Demokratike dhe kryetari po jepte një deklaratë, kur jemi ngjitur lart, jemi njoftuar që përpara derës së selisë së Partisë Demokratike ishin të paktën 10 civilë të forcave operacionale dhe ishin dhe makinat e policisë. Menjëherë kanë zbritur poshtë deputetët dhe janë, i kanë larguar, janë konfliktuar me këta dhe sot mora vesh në mëngjes.

Janë afruar, ishin pozicionuar që të kapnin protestuesit që do të dilnin. Në seli të gjithë protestuesit që mblidhen në seli, ju e dini shumë mirë janë anëtarë aktivë të Partisë Demokratike dhe struktura, duke filluar nga kryetarë seksionesh deri te kryetarë degësh. Dhe këta ishin pozicionuar 10 civilë, ishin fshehur përballë, te Lana, te rruga. Ishin aty anash ku është hyrja për tek Qendra Tregtare Toptani dhe prisnin që të dilnin protestuesit. Në momentin që janë vënë re nga protestuesit, kanë zbritur deputetët dhe janë konfliktuar me ta.

Te selia jo, nuk kanë arrestuar asnjë, sepse ne , menjëherë kemi zbritur poshtë për ta ndaluar këtë gjë. Megjithatë, është e paprecedent.

As në 97-ën policia nuk ka rrethuar selinë e Partisë Demokratike dhe hidhnin gaz gjoja për në krahun tjetër të Lanës, pasi duke patur parasysh drejtimin e erës i gjithë i vinte në seli.

Selinë e kanë mbytur me gaz. Megjithatë nuk është se kjo është një gjë që na ka skandalizuar shumë, sepse ne jemi mësuar me gaz, jemi mësuar me protesta, demokratët janë luftëtarë dhe nuk janë viktima. Por e gjitha ishte një skenar për të intimiduar dhe shtypur revoltën.

Atëherë, qëndrimet janë të ndryshme, sepse ca thonë jo ishin fishekzjarre e ca thonë që ishte shumë e dhunshme. Pra gjithçka është propagandë. U propagandua që do të ishte.

Asnjë polic i dëmtuar. Ne kemi shkuar këtë radhë kemi qenë të mirëorganizuar për të demaskuar dhe për t'u nxjerrë atyre çdo mashtrim. Asnjë polic nuk është paraqitur në spital. Nuk kishte polic të dhunuar. Dhe patjetër këta jo vetëm kanë shpërdoruar detyrën, këta kanë tejkaluar çdo lloj mase.

Arrestimi i një 10-vjeçari nuk është përdorim detyre, është krim dhe dhunë ndaj një të mituri. Këta kanë dhënë urdhra të paligjshëm dhe dhënia e urdhrave të paligjshëm në tejkalim të kompetencës dhe të forcës së ushtruar është vepër penale më vete, përveç shpërdorimit të detyrës.

Patjetër që të gjitha provat i kemi dhe patjetër që do të procedojmë me kallëzim penal. Gjithashtu, desha këtu edhe të sqaroj të gjithë demokratët që çunat që janë arrestuar, djemtë tanë, ne nuk do t'i lëmë, po presim që të na lajmërohet data e gjykatës për të parë brenda 72 orësh.

Besoj që mund të jetë të hënën ose të martën. Unë këtu gjej rastin edhe familjarët t'i qetësoj dhe t'i them që po merremi seriozisht dhe do ta ndjekim këtë çështje deri në fund. Nuk diskutohet që djemtë nuk do të lihen".