'Protestat nuk do të ndalen'/ Himçi: Qeveria dhe krimi i organizuar po sundojnë së bashku, ky është realiteti sot

Deputeti i PD, Blendi Himçi i ftuar ditën e sotme në një lidhje live për Syri Televizon ka paralajmëruar një përshkallëzim të aksionit opozitar, duke deklaruar se protestat do të vazhdojnë pa ndërprerje dhe do të shtrihen edhe brenda sallës së Kuvendit, me synim bllokimin e seancave plenare.  Ky qëndrim, sipas Himçit, do të mbahet derisa ministrja Belinda Balluku të përballet me drejtësinë.

Deputeti i i opozitës denoncoi atë që e quajti një "skenar të parapërgatitur" nga policia për të intimiduar qytetarët dhe për të shuar zërin e protestës. Sipas tij, kryeministri Edi Rama dëshiron një "opozitë fasadë" që i bindet urdhrave të tij, duke akuzuar edhe disa analistë se paguhen nga qeveria për të përhapur idenë se "të gjithë janë bashkë".

Kjo ide u hodh poshtë, duke theksuar se mes qeverisë dhe opozitës ekziston "një humnerë e madhe".

"Na ndan një hendek i madh midis një bande hajdutësh dhe një opozite që kërkon vetëm të drejtat kushtetuese, liritë themelore, një proces të rregullt votimesh dhe një qeveri teknike," u shpreh ai.

Plani i opozitës është i qartë: protestat do të vazhdojnë dhe do të shoqërohen me aksione bllokuese në seancat plenare. "Ne nuk mund të lejojmë një seancë të rregullt deri në kohën kur Belinda Balluku t'i drejtohet drejtësisë," deklaroi ai.

Akuzat u drejtuan direkt ndaj ministres Balluku dhe kryeministrit Rama, të cilët u akuzuan se "kanë vjedhur në bashkëpunim". Në këtë kontekst, Himçi bë thirrje Prokurorisë së Posaçme (SPAK) që të veprojë paanshmërisht.

"Inkurajoj SPAK-un të mos jetë një SPAK hibrid me dy standarde, por një SPAK i drejtë," theksoi përfaqësuesi i opozitës, duke kërkuar që struktura e drejtësisë të funksionojë sipas ligjit dhe Kushtetutës.

Blendi Himçi:

 “Jemi para një skenari të parapërgatitur, pra e gjithë policia ishte e parapërgatitur në skenarin në përfundim të protestës se si do të vepronte. Dhe kjo është për intimidimin, për mosvazhdimin më të protestës, për t'i intimiduar njerëzit që mos dalin më në protesta, sepse të tillë e do Edi Rama, do të thoja, opozitën, një opozitë fasadë, e cila mos reagojë, po thjesht t'i bindet urdhrave të Edi Ramës.

Ka dhe analistë, do të thoja, shumë të famshëm që paguhen nga Edi Rama, ku shpeshherë, apo çdo ditë, injektojnë në opinionin publik që këto të gjithë janë bashkë. Jo miqtë e mi, ne nuk jemi bashkë.

Na ndan një humnerë dhe një hendek i madh midis një bande hajdutësh dhe një opozite që kërkon vetëm të drejtat kushtetuese, liritë dhe të drejtat themelore dhe pse jo, një proces të rregullt të votimeve dhe një qeveri teknike. Këto janë kërkesat për të cilat neve kemi shkuar të protestojmë sepse nuk mund të funksionojë më me një qeveri.

Patjetër, protestat do të vazhdojnë por do të shoqërohen njëkohësisht edhe me, edhe me protesta në në Kuvendin e Shqipërisë dhe në seancat plenare.

Ne nuk mund të lejojmë që të ketë një proces, një proces të rregullt apo një seancë të rregullt deri në kohën kur Belinda Balluku duhet t'i drejtohet drejtësisë dhe t'i jepet drejtësisë.

Nuk mund të mbahet peng nëpërmjet imunitetit dhe nëpërmjet dhënies së kartonit nga ana e mazhorancës, por duhet domosdoshmërisht që Belinda Balluku të shkojë para drejtësisë dhe jo vetëm Balluku, por së bashku me Edi Ramën, sepse kanë vjedhur në bashkëpunim dhe unë e inkurajoj SPAK-un që mos të jetë një SPAK hibrid me dy standarde, po të jetë një SPAK i drejtë, i cili duhet të vazhdojë të funksionojë në mënyrën e drejtë për të cilën është krijuar dhe funksion dhe ky funksion ligj i ligjshëm dhe kushtetues që ai ka, duhet zbatohet me përpikmëri.

Nuk mundet të vazhdohet më me dy standarde. Pretendoni miqtë e mi që jeni në në panel, ëh ku një protestues i cili nuk kryen asnjë gjë, arrestohet nga policia dhe Belinda Balluku që vjedh vetëm me një firmë 50 milionë euro, e faturuar kjo, qëndron e paarrestuar, nuk i jepet leje për t'u arrestuar.  Ky është standardi që ndodh sot në Shqipërinë tonë".