Noka denoncon dhunën policore: Regjim është tërbuar sepse po ndjen fundin e tij, të gjithë do shkojnë tek vendi

Duke folur nga ambientet e Komisariatit Nr. 1 në Tiranë, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka ngritur akuza të ashpra ndaj drejtuesve të Policisë së Shtetit, duke i cilësuar arrestimet e sotme si të paligjshme dhe të motivuara politikisht. Sipas tij, dhuna e ushtruar ndaj protestuesve paqësorë dhe pengimi i deputetëve për të ushtruar detyrën e tyre përbëjnë shkelje të rënda të ligjit dhe të parimeve demokratike, ndërsa situata dëshmon, sipas Nokës, panikun e një regjimi që po përballet me revoltë qytetare.

Prononcimi i sekretarit të Përgjithshëm të PD, Flamur Noka:

Jam këtu për të denoncuar dhunën dhe terrorin e pashoq që sot është ushtruar ndaj demonstruesve të pafajshëm, të cilët kishin ardhur të demonstrojnë dhe të protestojnë në mënyrë tërësisht qytetare ndaj një narko-regjimi. Kjo dhunë pa diskutim tregon panikun, frika në palcë që i ka hyrë regjimit nga revolta qytetare. Kjo dhunë tregon që ky regjim është bërë si bishë e tërbuar sepse po ndjen fundin e tij.

Dhe fundi do jetë i shpejtë. Por jam këtu për të denoncuar dhe për të paralajmëruar edhe narko policin Ilir Proda dhe kamikazin e tij, emërtesën e Gys Agasit, shefin e komisariatit numër një, Elton Shahini. E mbani mend? Elton Shahini është shefi i famshëm i komisariatit të Vorës që hante, drekonte, darkonte edhe me Xhabafët. Dhe kur u kërcënua vajza e deputetes me jetë, ai vazhdonte me ta. Ky është, këta janë.

Por Elton Shahini këtu është emëruar shef komisariati nga Gysi vetëm për vetëm për një arsye, që të monitorojë 'Panton' atje që mos shkojë BKH-ja dhe SPAK-u dhe ta ruaj Gysin, Troplinët dhe Xhabaftët. Ky është misioni. Pra këtu kemi një narko-polici, e cila nuk është në shërbim të ligjit dhe të kushtetutës, as edhe të qytetarëve, jo. Sot pamë një fytyrë kriminale.

E patë ju sot? Vijnë 10 deputetë këtu, nuk lejohen të takojnë shefin e komisariatit. Këtu qindra policë brenda, kishin bllokuar korridorin dhe hollit, a thua se deputetët do të hanin narko-policin Elton Shahini. Këtu kemi, kjo polici është polici në shërbim total të krimit. Vetëm në Iran mund të ndodhë ajo që pamë sot, që të arrestohet një 10-vjeçar dhe të dhunohet barbarisht.

Vetëm në Iran mund të mund të ndodhë që një protestues i pafajshëm të toksikohet nga gazi që hodhën dhe pasi shkoi në spital, direkt nga spitali, në gjendje gjysëm kome, ta sjellin këtu dhe ta përplasin byruca. I pafajshëm protestuesi. Kjo sjellje edhe ndaj deputetëve ndodh vetëm në Iran. Atje ka regjim, këtu ka narko-regjim. Atij, atij regjimi po i vjen fundi, ju garantoj edhe këtij do i vijë, do t'i vijë fundi.

Dua me këtë rast të falënderoj çdo protestues, çdo demokrat dhe opozitar që ishte sot në këtë protestë të shkëlqyer. Mesazhi më i qartë që ju dha. Edhe narko-regjimit edhe narko-policisë. Narko-regjimi do shkojë drejt fundit. Narko-policia do pastrohet nga narkozi dhe do kthehet në një polici të shtetit, të ligjit dhe të kushtetutës.

Pyetje: Çfarë do ndodhë me të arrestuarit që ndodhen në komisariatin numër një? Ju keni pasur një bisedë me shefin e komisariatit.

Flamur Noka: Me shefin e komisariatit ne nuk patëm asnjë bisedë. Me shefin e komisariatit ne patëm vetëm një paralajmërim. Ke arrestuar qytetarë të pafajshëm, do të jesh ti përgjegjës. Proda do shkojë te vendi. Me këtë rrugë edhe ai është për ke vendi. Sepse asnjë nga qytetarët që janë këtu nuk ka asnjë implikim përveç se janë qytetarë dhe protestues të paangazhuar në asnjë vepër penale.

Janë qytetarë dhe protestues demokratikë dhe nuk kanë asnjë, asnjë faj. A mllefet e narkosit duan t'ia shkarkojnë qytetarëve? Të presin, do presin se do t'ju shkarkohet një mllef i madh ndaj këtyre. Po ju them, narko-policia duhet pastrohet, do të pastrohet sapo ky regjim të rrëzohet.