Vokshi: Protestuesja Suzana Dimushi është dhunuar nga policia. Dhuna ndaj një gruaje e patolerueshme!
Deputetja Albana Vokshi deklaroi nga Spitali i Traumës se arsyeja e vizitës së saj, së bashku me deputete e PD, ishte për t’u interesuar për shëndetin e protestueses Suzana Dimushi.
Ajo u lëndua në kokë dhe ka pasur nevojë për disa qepje. Dimushi ka rënë pa ndjenja dhe nuk mbante mend rrethanat e incidentit. I janë kryer analiza dhe skaner, dhe pritet përgjigjja zyrtare për gjendjen e saj shëndetësore. Vokshi tha se komunikimi me të ishte i vështirë për shkak të dhimbjes, por ajo ishte në gjendje të përgjigjej.
Vokshi theksoi gjithashtu se një polic i ri, i cili gjithashtu ishte përfshirë në incident, ndodhej nën kujdesin e shërbimit mjekësor dhe po ndiqeshin procedurat e protokollit. Deputetja kritikoi përdorimin e dhunës ndaj një gruaje, e cila është edhe jetime, si dhe përdorimin e gazit lotsjellës të skaduar për të helmuar protestues paqësorë. “Kjo qeverisje është në grahmat e fundit,” deklaroi Vokshi, duke i bërë thirrje kryeministrit, ministrit të Brendshëm dhe drejtuesve të policisë të respektojnë të drejtat kushtetuese dhe ligjore të protestuesve.
Nga informacionet e mbledhura nga deputetët e Partisë Demokratike, gjatë ditës janë shoqëruar dhjetëra persona në komisariate. Në komisariatin nr. 1 janë shoqëruar 16 persona, ndërsa tensione kanë pasur edhe në komisariatet nr. 2 dhe nr. 6. Përveç të rriturve, një rast i veçantë ishte ai i 10-vjeçarit Romeo Kora, i cili u shoqërua dhe më pas u lirua; prindërit e tij kanë bërë një denoncim formal.
Deputetët, përfshirë Ivi Kason, Belind Këlliçin dhe Klevis Balliun, janë duke u interesuar për gjendjen e personave të shoqëruar, disa prej të cilëve janë sjellë në komisariate jashtë juridiksionit të vendbanimit të tyre, siç është rasti i katër personave nga Elbasani dhe Lushnja në komisariatin nr. 6.