Manchester City nuk fal në ‘Etihad’, mposht Wolves dhe i afrohet Arsenalit

Manchester City ka regjistruar një fitore të qetë në shtëpi ndaj Wolves, në ndeshjen e vlefshme për javën e 23-të të Premier League, duke marrë tre pikë të rëndësishme dhe duke ngushtuar diferencën me liderin Arsenal në vetëm katër pikë.

“Qytetarët” e nisën ndeshjen me intensitet të lartë dhe dominuan që në minutat e para.

Pas vetëm gjashtë minutash lojë, Omar Marmoush zhbllokoi rezultatin, duke shfrytëzuar një harkim të saktë nga Nunes dhe duke dërguar topin në rrjetë.

Pas golit të avantazhit, City vazhdoi të ushtrojë presion konstant, duke krijuar edhe disa raste të pastra shënimi përmes Semenyos dhe Cherkit, por pa arritur të dyfishojë rezultatin në ato momente.

Goli i dytë dhe vendimtar erdhi në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë (45+2’), kur Antoine Semenyo finalizoi një aksion të bukur ofensiv pas asistit të Bernardo Silvas, duke e lënë të pafuqishëm portierin José Sá.

Pjesa e dytë u zhvillua me ritëm më të ulët, me Cityn që kontrolloi posedimin e topit dhe Wolves që u përpoq të reagojë kryesisht përmes kundërsulmeve sporadike, pa rrezikuar seriozisht portën vendase.

Me këtë fitore, Manchester City shkon në kuotën e 46 pikëve dhe vazhdon ndjekjen e Arsenalit në garën për kreun e renditjes.

Në anën tjetër, Wolves mbeten në fund të tabelës me vetëm 8 pikë, duke thelluar krizën e tyre sezonale.