Ronaldo bën surprizë për Sadio Mane, pritje speciale për kampionin e Afrikës në Al-Nassr
Cristiano Ronaldo dhe pjesa tjetër e skuadrës së Al-Nassr i rezervuan një pritje të veçantë Sadio Manés pas rikthimit të tij nga Kupa e Afrikës, ku Senegali arriti një tjetër triumf historik.
“Luanët e Terangës” u shpallën kampionë të Afrikës për herë të dytë në histori, pas një finaleje dramatike dhe të shoqëruar me polemika ndaj Marokut, e zhvilluar në Rabat.
Sfida u vendos në kohën shtesë, kur Pape Gueye realizoi golin e fitores në minutën e 94-t, duke i dhënë Senegalit suksesin minimal 1-0.
Finalja u karakterizua nga tensione të shumta, veçanërisht në fundin e kohës së rregullt, kur një penallti e dyshimtë e akorduar për Marokun shkaktoi reagime të forta dhe çoi në largimin e përkohshëm të lojtarëve senegalezë nga fusha. Vetëm pas rreth 17 minutash kaosi dhe ndërhyrjes së trajnerit Pape Thiaw, ndeshja rifilloi.
Më pas, Brahim Diaz humbi një penallti duke tentuar një goditje “Panenka”, me portierin Edouard Mendy që neutralizoi topin.
Të premten, Mane u rikthye në Arabinë Saudite për t’u bashkuar sërish me Al-Nassr, ku u prit me duartrokitje dhe përqafime nga bashkëlojtarët.
Momenti kulmor ishte dorëzimi i një torte simbolike nga kapiteni Cristiano Ronaldo.
Torta paraqiste Manén me trofeun e AFCON-it në duar, me mbishkrimin: “Urime Senegal kampion. Urime Sadio.”
I emocionuar nga pritja, Mané falënderoi skuadrën dhe u shpreh për kamerat e klubit:
“Faleminderit shumë, jam vërtet i lumtur për këtë surprizë. Nuk e prisja. Ishte një pritje shumë e ngrohtë dhe jam shumë i kënaqur. Tani jam i fokusuar te pjesa tjetër e sezonit.”
Sulmuesi senegalez tashmë kthen vëmendjen te gara në Saudi Pro League, ku synon të vazhdojë formën pozitive dhe të ndihmojë Al-Nassr në objektivat e mbetura sezonale.