Kush mund t'i marrë meritat për zbutjen e Trump-it?
Përgjigjja ka rëndësi, sepse europianët ka të ngjarë të mbeten të ndarë për mënyrën si duhet trajtuar presidenti amerikan
Nga Ben Hall - FT/
Mirë se u kthyet. Suksesi ka shumë prindër, dështimi mbetet jetim. Vendimmarrësit europianë e përgëzuan veten për qëndrimin e fortë dhe për faktin se e detyruan Donald Trump-in të tërhiqej në mënyrë të papritur nga qëndrimi i tij për Groenlandën.
Një strategji e "qëndrueshmërisë, afrimit, gatishmërisë dhe unitetit… ishte efektive", tha të enjten në mbrëmje presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. "Në vazhdim, duhet të ruajmë të njëjtën qasje."
Ministri francez i Financave, Roland Lescure, tha se kthesa e Trump-it tregoi se "është më mirë të jesh i fortë dhe bindës sesa i dobët dhe të shtrihesh përdhe".
Duket se faza e qetësimit europian ndaj Trump-it ka përfunduar. Por a ishte vërtet kjo ajo që e bindi Trump-in të hiqte dorë nga kërcënimet ushtarake dhe presioni me tarifa?
Koha e "bazukës"
Kur kriza shpërtheu fundjavën e kaluar, presidenti francez Emmanuel Macron reagoi me vendosmëri. Ai kërkoi që BE-ja të aktivizonte menjëherë instrumentin kundër shtrëngimit ekonomik, i cili do t'i lejonte bllokut të kufizonte aksesin në treg për kompanitë amerikane ose të vendoste kontrolle eksporti.
Kjo i irritoi disa vende të tjera, që kishin frikë nga përshkallëzimi i situatës. Kishte më shumë mbështetje për tarifa reciproke ndaj 93 miliardë euro mallra amerikane, pa e ngritur më tej tonin.
Megjithatë, shumë zyrtarë europianë i panë kërcënimet e Trump-it si një moment pa kthim dhe qëndrimet u ashpërsuan. Nëse Trump do të këmbëngulte, do të kishte më shumë mbështetje për përdorimin e "bazukës" së BE-së sesa gjatë përplasjes për tarifat vitin e kaluar, madje edhe në Gjermani.
Ndërkohë, zyrtarët britanikë kërkuan qetësi. Ata thanë se diplomacia në prapaskenë e Mbretërisë së Bashkuar, së bashku me qëndrimin publik të Keir Starmerit në mbrojtje të sovranitetit të Danimarkës, dhanë rezultat. Por, nga ana tjetër, Britania, e vetme, nuk ka shumë mjete hakmarrjeje në dispozicion.
Dalja nga kriza
Kriza e menjëhershme u zbut sepse shefi i NATO-s, Mark Rutte, që shumë europianë e kanë tallur si kryelajkatuesit e Trump-it, e bindi presidentin amerikan të merrte seriozisht një ofertë që Danimarka e kishte bërë prej muajsh pa sukses: zgjerimin e bazave ushtarake amerikane në Groenlandë, një prani më të madhe të NATO-s në rajon dhe më shumë mundësi investimi për SHBA-në.
Trump mund të jetë tërhequr edhe sepse pa pak mbështetje publike në vend për idenë e marrjes së Groenlandës, shenja rezistence në Kongres dhe, mbi të gjitha, një rënie të fortë të interesit të investitorëve për asetet amerikane.
A ishte kjo pakënaqësi rezultat i qëndrimit të fortë të Europës dhe frikës nga një luftë tregtare transatlantike, apo një ndjesi më e përgjithshme se, siç shkroi Yaroslav Trofimov në Wall Street Journal, "Amerika e Trump-it duket sikur e ka humbur arsyen"?
Përgjigjja e paqartë për atë se kush ose çfarë e ndali Trump-in ka rëndësi, sepse do të thotë se, pavarësisht zemërimit, europianët ka gjasa të mbeten të ndarë për mënyrën si të "menaxhojnë" një president amerikan që synon të tronditë rendin global.
Duke çarë para
Tërheqja e tij këtë javë do t'i qetësojë ata që janë më të lidhur me garancinë e sigurisë së SHBA-së, si Mbretëria e Bashkuar, ose më të afërt ideologjikisht, si Italia; ata besojnë se Trump-i mund të menaxhohet, se ai përballet me kufizime të brendshme dhe se Europa mund t'ia dalë disi, sado e vështirë të jetë.
Në anën tjetër janë vende si Franca, që mendojnë se ka ardhur koha që Europa të përgatitet për më të keqen dhe të ecë e vetme.
"Puna jonë për pavarësi është më e rëndësishme se kurrë", tha von der Leyen pas samitit të liderëve të BE-së të enjten. Por pavarësia kërkon shumë vullnet politik dhe shumë para, të dyja mungojnë. Ka një hendek të madh mes aspiratave dhe realitetit në Francën me financa të shtrënguara dhe politikisht të bllokuar.
Pak zyrtarë europianë do të thoshin me bindje se kriza e Groenlandës ka përfunduar. Kërcënimet e administratës Trump ndaj një aleati të NATO-s dhe përçmimi ndaj Danimarkës dhe Europës nuk harrohen lehtë. Dëshira e presidentit për ta zotëruar këtë territor të madh arktik mund të ringjallet lehtësisht. Dhe, siç tregon edhe raportimi nga Nuuk-u, rezistenca groenlandeze dhe daneze ndaj kërkesave amerikane vetëm është rritur javët e fundit.
Mësime nga Kanadaja
Fjalimi i paharrueshëm i Mark Carney-t në Davos ka pasur jehonë të fortë në Europë. Carney përshkroi një "çarje" të përhershme në rendin ndërkombëtar të udhëhequr nga SHBA-ja dhe u bëri thirrje "fuqive të mesme" të bashkëpunojnë për ta zëvendësuar atë.
Thirrja e tij për veprim ishte "busulla më e qartë morale dhe gjeopolitike për t'u përballur me ofensivën imperialiste të Trump-it", shkroi Andrea Rizzi në El Pais.
John Thornhill i FT-së shkroi se për Europën, shkëputja nga SHBA-ja është një sfidë jashtëzakonisht e vështirë. Shumë mendojnë se është e pamundur, për shkak të lidhjeve të thella ekonomike, financiare, teknologjike dhe ushtarake. Megjithatë, përpjekja duhet bërë, dhe Kanadaja po tregon rrugën.
Siç vuri në dukje kolegu im Alan Beattie për tregtinë globale, "analiza e Carney-t është e saktë dhe qasja e tij e mirë në parim. Por u deshën Depresioni i Madh dhe Lufta e Dytë Botërore që vendet të kapërcenin instinktet proteksioniste dhe izoluese dhe të ndërtonin një sistem shumëpalësh".
Trump e tronditi Europën me kërcënimet për Groenlandën. Por ndoshta do të duhet një goditje edhe më e madhe për ta shtyrë atë drejt veprimeve të vendosura që nevojiten për një pavarësi më të madhe nga Amerika. / Financial Times – Syri.net