‘Nuk mban më, boll...’/ Këlliçi: Zgjidhja e vetme ka mbetur sheshi i protestës për të larguar këtë regjim
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, i ftuar në një intervistë në Syri TV me gazetarin Edvin Parruca, deklaroi se situata politike dhe sociale në vend ka arritur në një pikë kritike, ku sipas tij nuk flitet më për qeverisje, por për një strukturë kriminale që ka marrë peng fatet e Shqipërisë.
Këlliçi theksoi se për çdo qytetar që kërkon ndryshimin dhe një të ardhme normale në vend, e vetmja zgjidhje që ka mbetur është reagimi qytetar dhe protesta, duke nënvizuar se ndryshimi nuk mund të vijë nga faktorë të jashtëm, por vetëm nga vetë qytetarët shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit.
Belind Këlliçi: Nuk mban më, boll më, është e paimagjinueshme që për çdo qytetar shqiptar që do ndryshimin, që kërkon që të jetojë në një vend normal, që kërkon të jetojë në një vend që mundet të ketë të ardhme, e vetmja zgjidhje dhe e vetmja mundësi që ka mbetur është sheshi i protestës për të larguar një orë e më parë...nuk flitet më për qeverisje, për të larguar një grup kriminal, një grup të strukturuar kriminal, një organizatë mafioze që sot ka marrë peng fatet e Shqipërisë dhe fatet e vendit.
Dhe sigurisht, mesazhet kryesore duhet të jenë tek nevoja akute që ka sot çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë dhe jo vetëm, edhe ata që janë në diasporë. Duhet të kuptoni që pjesa dërrmuese e familjeve shqiptare sot kanë një të afër, kanë një prind, apo kanë një familjar të tyre apo një prej fëmijëve në emigrim dhe ndihmohen nga paratë apo remitancat që emigrantët në diasporë dërgojnë drejt familjeve të tyre.
Kjo histori nuk mund të vazhdojë më në këtë formë. Kjo histori duhet të marrë fund një orë e më parë. Sot, në pikën ku maska ka rënë, ku gjithçka është tashmë transparente porsa i përket përfshirjes në afera korruptive, vjedhjes së parave dhe taksave të qytetarëve shqiptarë nga qeverisja e Edi Ramës. Sot jemi në pikën që çdo qytetar duhet të reagojë. Nuk mund të presim që zgjidhja të vijë as nga qielli, as nga ndonjë force tjetër madhore, por zgjidhja do të duhet të vijë dhe do të vijë vetëm nga qytetarët shqiptarë.