‘Ka zemërim, ka mllef, ka mërzitje’/ Baçi: Protesta do jetë madhështore! Opozita në krah dhe ballë të qytetarëve

Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, i ftuar në SYRI TV me Arnold Kariqin, ka folur në lidhje me protestën kombëtare të thirrur nga opozita në orën 17:00 përpara Kryeministrisë.

Baçi u shpreh se edhe këtë herë nuk do të mungojnë simpatizantët, anëtarët, drejtuesit e Partisë Demokratike të Degës Fier, por edhe qytetarë për të qenë pjesëtarë të protestës.

Gjithashtu Baçi theksoi se qytetarët e kanë në dorë se si do të shprehin zemërimin e tyre në këtë protestë të thirrur opozita, ku kjo e fundit do të jetë në krah dhe në ballë të tyre.

Intervista në studio:

Baçi: Fieri si gjithmonë, të paktën për në këto vite të opozitës, kur ka qenë puna për protestë, ka qenë vërtet nga qarqet më të angazhuara dhe më rezultativë dhe në veçanti dega e Fierit dhe Bashkia e Fierit, ku Partia Demokratike Dega Fier ka kryer aktivitetin e vet. Edhe këtë herë nuk do të mungojnë simpatizantët, anëtarët, drejtuesit e Partisë Demokratike, por edhe qytetarë për të qenë pjesëtarë të protestës. Ka filluar ikja që në mëngjes, madje nga shumë anëtarë të Partisë Demokratike, nga ata që janë të përhershëm në pjesëmarrjet e protestave dhe që e dinë mirë vështirësinë që kanë gjatë ditës në rrugë, për trafikun e rënduar dhe për vështirësitë e gjetjes së parkimeve në Tiranë, për të arritur pastaj në kohë në shesh aty ku zhvillohet protesta. Kështu që ikjet kanë qenë masive, kanë qenë të përhershme, madje unë dhe në këto momente që jam, jam në makinë me qytetarë jam, me anëtarë të Partisë Demokratike në makinë, ndalova në rrugë që kishim lënë orarin bashkë për të dhënë këtë intervistë dhe patjetër do të jetë një nga protestat më të fuqishme që ka pasur ndonjëherë Partia Demokratike. Madje do të thoja më të fuqishme. Gjithmonë protestat kanë qenë të fuqishme. Kujtojmë protestën e 22 dhjetorit. Kishte shumë analistë, shumë media afër me pushtetin që prisnin të kishte një dështim, priste mos të kishte pjesëmarrje, por në fakt ngelën të habitur, ngelën me gojë hapur si i thonë fjalës, edhe disa media që bëjnë filmime me dron para apo një orë para se të fillojë protesta apo disa orë pasi ka mbaruar protesta për të dizinformuar, por këtë herë nuk folën dot, do ta kenë gojën mbyllur edhe sot në 24 janar, të shtunën në orën 17:00 te Bulevardi Dëshmorët e Kombit, kur protesta do të jetë e fuqishme, do të jetë madhështore, do të jetë e mbushur me qytetarë dhe me demokratë për të treguar fuqinë e madhe të Partisë Demokratike, të opozitës të tërësi dhe pakënaqësinë popullore. Duhet të jetë një protestë që shfaq zemërim, që shfaq mërzitje. Unë e kam thënë edhe herë të tjera, Arnold, më lejo ta them, që nuk kam qenë asnjëherë pro protestave me muzikë, me mitingje, pse jo edhe protesta me folës nëpër podiume. Ky është një mendimi im personal. 

Kariqi: Çfarë ideje po jepni zoti Baçi? Pra një protestë të jetë më e fortë, më e vendosur, më e gjatë?

Baçi: Po. Po, absolutisht. Protestë e fuqishme, protestë e qëndrueshme, protestë me zemërim. Qytetarët janë të zemëruar, demokratët janë të zemëruar dhe zemërimi nuk nxirret, mllefi nuk nxirret me muzikë, me podiume, as me fjalime kushdo qofshin ata që mbajnë fjalime, se fjalimet ua dëgjojmë të gjithëve si politikanëve, edhe intelektualëve dhe qytetarëve të ndryshëm. I dëgjojmë nëpër foltore apo nëpër nëpër televizione apo biseda nga më të ndryshmet. E them këtë për arsye se ky është dhe mendimi i qytetarëve, mendimi i demokratëve, duhet të ketë një qëndresë, duhet të ketë zemërim, duhet të ketë diçka, se ka zemërim, ka mllef, ka mërzitje. Dhe për mua, ideja ime ka qenë gjithmonë, dita që protestojnë qytetarët, proteston opozita, pushtetin e kanë në duar qytetarët dhe ata duhet të vendosin se si do të zhvillohet protesta. Mund të bëni pyetjen se çfarë do të ketë sot protesta. Unë nuk jam në gjendje të përgjigjem se çfarë do të ketë sot në protestë dhe si do të zhvillohet protesta, për arsye se nuk mund të parashikoj absolutisht asnjë gjë se si duhet ta shprehin zemërimin qytetarët në tërësi dhe në përgjithësi. Pra është në duart e tyre, është në mendimin e tyre. Patjetër që organizatore është Partia Demokratike, opozita, patjetër që ne jemi në krah dhe në ballë të tyre dhe mbajmë, në kuptimin e mirë të fjalës, përgjegjësi për zhvillimin e kësaj proteste, por ama lëvizja e qytetarëve, zemërimi i qytetarëve shprehet gjithsecili në mënyrën e vet.