Moti i keq/ Pezullohet lundrimi i mjeteve të vogla dhe të peshkimit në Vlorë

Kapiteneria e Portit në Vlorë ka ndaluar lëvizjen e mjeteve të vogla lundruese dhe ato të peshkimit, si pasojë e kushteve të përkeqësuara të motit.

Sipas njoftimit zyrtar, lundrimi do të pezullohet duke nisur nga ora 12:00 të datës 24.01.2026 deri në datën 26.01.2026 në orën 06:00.

Kjo masë është marrë për të parandaluar çdo situatë të papritur për shkak të kushteve atmosferike të këqija.

Ndërsa njoftohet se anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.

Njoftim për përkeqësim të kushteve hidrometeorologjike
për periudhën 24–26.01.2026
Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike detare të përkeqësuar, brenda dhe jashtë Gjirit të Vlorës, për periudhën 24–26.01.2026, duke filluar nga ora 12:00, datë 24.01.2026, me drejtim ere Jug–Juglindje, me forcë deri në 7–8 Bft, shpejtësi ere deri në 25–45 m/s dhe lartësi dallgësh nga 2.50 deri në 4.00 metra, ju bëjmë me dije se:
1. Kapiteneria e Portit Vlorë ka ndaluar pajisjen me leje-nisje të mjeteve të vogla lundruese dhe mjeteve të peshkimit, të cilat operojnë brenda Gjirit të Vlorës dhe në det të hapur, duke filluar nga ora 12:00, datë 24.01.2026, deri më 26.01.2026, ora 06:00.
2. Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, kërkohet bashkëpunimi i të gjithë subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për marrjen e të gjitha masave të nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritjen e gatishmërisë së ekuipazheve në mjetet lundruese.
3. Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.
4. Trageti i linjës Vlorë–Brindisi–Vlorë ka anuluar mbërritjen e parashikuar për datën 25.01.2026.
5. Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit parashikohet pas orës 06:00 të datës 26.01.2026.