Thellohet skandali/ Kalaja tregon si e nisi vetë gjyqtarja Gjoka procesin për të cilin thotë se s’kishte dijeni

Skandali mbi çështjen e gjyqtares së GJKKO, Irena Gjoka, thellohet me daljen në dritë të fakteve të reja që hedhin poshtë pretendimet e saj për mosdijeni në lidhje me një dënim të marrë në Greqi.

E ftuar në SYRI TV me Arnold Kariqin, avokatja Adriana Kalaja theksoi se dokumente të reja sugjerojnë se gjyqtarja jo vetëm që ishte në dijeni të plotë të procesit gjyqësor ndaj saj, por madje e ka iniciuar vetë atë.

Duke paraqitur prova që kundërshtojnë versionin e gjyqtares Gjoka, Kalaja shprehet se sipas dokumenteve të gjykatave administrative të Janinës dhe Athinës, procesi gjyqësor në fjalë është nisur me kërkesë të vetë “ankueses Irena Gjoka Maneku Shpata”.

Sipas avokates Kalaja, ky fakt ligjor tregon se është e pamundur që ajo të mos ketë pasur dijeni për një proces që e ka iniciuar vetë.

LEXO DHE: Irena Gjoka mohoi dënimin dhe dëbimin nga Greqia/ Kalaja nxjerr dokumentat: Ja kur pajtoi avokatin

Gjithashtu, një prokurë e datës 31 mars 2003, e bërë publike, nëpërmjet së cilës Irena Shpata Gjoka Maneku autorizon një avokat grek për të menaxhuar çështjen e saj, konkretisht për të hequr dy urdhra dëbimi (ekspulse) të lëshuar ndaj saj, konsiderohet si provë e pakundërshtueshme e dijenisë dhe përfshirjes së saj aktive në procedurat ligjore në shtetin fqinj.

Intervista në studio:

Karriqi: Në fakt duhet të pyes pak për të gjithë atë që po ndodh me avokat, me gjyqtaren në fjalë, pasi rezulton tashmë, sipas Prokurorisë së Përgjithshme, ajo rezulton e dënuar, por çfarë po ndodh me emrin e saj? Duket se po krijohet një kakofoni, ndërkohë Irena Gjoka Shpata ka pranuar se është dënuar në Greqi, por ka nxjerrë alibi të tjera që lidhen me ë me figurën e saj dhe momentin e dënimit. Gjyqtarja shprehet se nuk e kreu dënimin pasi përfitoi nga legjislacioni grek i pezullimit të dënimit. Thotë se nuk ka udhëtuar në Greqi ndërkohë që ju keni nxjerrë të tjera dokumente ku faktohet se është krejt e kundërta. Pikë së pari, ku ka mashtruar ose ku vazhdon akoma të mashtrojë gjyqtarja Irena Gjoka?

Kalaja: Atëherë, së pari, ti i nderuar e the fiks sepse shumë shpejt ky subjekt nuk mund të jetë më gjyqtar dhe duhet të kalojë pas dënimit që do t'i bëhet, mund të kalojë edhe në ushtrimin e aktivitetit si avokate. Kështu që në këtë pikë nuk ke asgjë të gabuar, sepse nëse ligji do vepronte në kohë, në fakt kështu duhet të kishte ndodhur deri më tanë. Minimalisht me provat që ne kemi prej gati 30 muajsh që i kemi bërë publike, po edhe i kemi depozituar në institucionet qendrore, të cilat janë caktuara me ligj për të hetuar, për të gjykuar, për të administruar sistemin gjyqsor, jo vetëm që nuk janë marrë në konsideratë në kohën e duhur, por minimalisht nuk është dhënë dhe një masë pezullimi në ushtrimin e detyrës nga kjo gjyqtare delinkuente, e cila në fakt, jo vetëm vijon detyrën, jo vetëm vijon të sulmojë dhe të dënojë krerët e opozitës, nga zoti Berisha, zoti Meta e me radhë, por nga ana tjetër vijon në këndvështrimin tim, por edhe në atë çfarë parashikon dispozita ligjore, të kryejë një krim vijues. Pse e them këtë? Them këtë sepse edhe në parashtrimet që unë kam njohur nëpërmjet mediave, por dhe të atyre, unë i kam quajtur vrasës me pagesë, se të dalësh sot në mbrojtje të Irena Gjokës, nuk je gjë tjetër veçse je një bandit, je një vrasës me pagesë i shtetit ligjor të së drejtës, sepse të gjitha argumentat që ngrihen, jo vetëm nuk janë të bazuara në prova dhe në fakte, po mbi të gjitha i gjithë parashtrimi i kësaj gjyqtareje delinkuente, do ta theksoja sërish, është vijim i kryerjes së veprave penale, sepse dhe në momentin kur ti parashtron përpara KLGJ-së që nuk ke patur dijeni për këtë hetim apo gjykim në shtetin grek, ndërkohë që ne disponojmë të dy vendimet e gjykatave administrative, qoftë të Janinës, qoftë të Athinës, ku vërtetohet që kërkuese është Irena Gjoka Shpata Maneku. Këto të paktën janë tre mbiemra që ne i dimë sot në bazë të dokumentacionit që kemi apo që kemi depozituar dhe në organet ligjzbatuese.

Karriqi: Pra avokate të jemi më të qartë për publikun. Gjyqtarja pretendon se nuk ka patur në dijeni, ndërkohë që dokumentat tregojnë krejt të kundërtën pasi ajo është interesuar...

Kalaja: Në në statusin e tim të mbrëmshëm, po dhe në statusin tim të sotëm, unë kam nxjerrë prova që jo vetëm ka patur dijeni, por vetë Irena Gjoka Shpata Maneku ka iniciuar procese. Pra, në fletën e parë të gjykatës së Athinës, administrative gjithmonë, por edhe në fletën e parë të gjykatës administrative të Janinës, thuhet që procesi ka filluar në bazë të inicimit të ankueses Irena Gjoka Maneku Shpata. Pra çdo jurist që sot është në vit të parë në fakultetin juridik, e kupton që ti nuk mund të jesh ankuese nëse nuk ke dijeninë për një proces të tillë. Nga ana tjetër, prokura që unë kam vënë në dispozicion qoftë të SPAK-ut, qoftë të Prokurorisë së Përgjithshme, qoftë Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, por edhe KPA-së, tregon që që në 31 mars të vitit 2003, Irena Shpata Gjoka Maneku, në këtë prokurë në fakt ajo ka mbiemrin vetëm një nga mbiemrat, autorizon një avokat grek për të hequr dy ekpulse. Pra, përpos faktit që është në dijeni të plotë të masave që janë marrë nga shteti.