VIDEO/ Investimi 260 milionë euro çahet për 5 muaj - Rruga e re Qukës-Qafë Plloçë ‘fundoset’ dhe del jashtë funksionit

Rruga Qukës-Qafë Plloçë, një investim prej 260 milionë eurosh i qeverisë shqiptare, i inauguruar vetëm pesë muaj më parë, në shtator të vitit të kaluar, ka shfaqur dëmtime të rënda strukturore. Asfalti ka pësuar çarje dhe fundosje në segmente të caktuara, duke detyruar autoritetet të bllokojnë njërën korsi dhe të devijojnë qarkullimin, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi cilësinë e punimeve.

Gazetarja e Syri TV në një raportim të bërë nga ky aks, theksoi se situata më problematike paraqitet në lotin e dytë të rrugës, në afërsi të kthesës së fshatit Rebinj. Në këtë segment, përveç çarjeve të thella, vihet re edhe një fundosje e trupit të rrugës, e njohur si "batisje", si dhe një disnivel i theksuar. Dëmtimet raportohen të jenë të pranishme në të dyja korsitë e lëvizjes, duke e bërë situatën edhe më alarmante.

Ky nuk është problemi i parë për aksin e ri rrugor, i cili u përurua me praninë e kryeministrit dhe anëtarëve të kabinetit qeveritar. Përgjatë pesë muajve të fundit, rruga ka hasur në problematika të vazhdueshme, përfshirë shembje masivësh shkëmborë që kanë rrezikuar jetën e qytetarëve dhe kanë shkaktuar bllokime të përsëritura. Vetëm një javë më parë, aksi u rihap pas një bllokimi 10-ditor pikërisht për shkak të një masivi shkëmbor.

Amortizimi i shpejtë i një vepre me vlerë 260 milionë euro ka bërë që shumë drejtues mjetesh ta shmangin atë, duke iu rikthyer rrugës së vjetër për të mos rrezikuar. Mbetet e paqartë se çfarë masash afatgjata do të merren për të garantuar sigurinë dhe funksionalitetin e këtij aksi të rëndësishëm rrugor.

‘Në fakt jemi në lotin e dytë të rrugës Qukës-Qafë Plloçë, pikërisht në kthesën e fshatit Rebinj, aty ku janë konstatuar në fakt edhe çarje sa i takon rrugës. Nga ana e autoriteteve janë marrë masat që në këtë zonë pikërisht të ndalohet qarkullimi në një korsi, duke e devijuar qarkullimin e mjeteve vetëm në një korsi. Duket në fakt edhe nga pamjet, ka pësuar jo vetëm çarje, ashtu siç duket edhe nga pamjet të cilat na i ofron edhe operatori jonë, por edhe një batisje le të themi të rrugës, pra një rënie të nivelit të rrugës në një pjesë të saj. Nga ana e firmës kontraktuese po vijon puna. Prej ditës së djeshme, unë e përmenda pak më herët, janë marrë të gjitha masat duke u vendosur edhe sinjalistika e duhur që nga ana e drejtuesve të mjeteve të përdoret vetëm një nga korsitë. Në fakt sa i takon edhe kësaj rruge, kjo rrugë ka pësuar problematika pavarësisht se inaugurimi i saj është kryer vetëm në datën 5 shtator të vitit 2025, ka qenë një inaugurim ku kanë marrë pjesë edhe kryeministri, por edhe ministrja e infrastrukturës, njëkohësisht edhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku. Shihet në fakt edhe nga pamjet, edhe mjetet të cilët kalojnë në këtë rrugë, përpiqen të mos jenë shumë pranë zonës e cila ka pësuar edhe çarje, edhe dëmtime të shumta. Në fakt për rreth pesë muaj janë konstatuar problematika të mëdha sa i takon edhe kësaj rruge. Ne herë pas here e kemi evidentuar këtë problematikë edhe në televizionin tonë, ndërsa ka pasur edhe masive shkëmbore të cilët kanë rrezikuar jetën e drejtuesve të mjeteve të cilët kanë zgjedhur pikërisht këtë aks rrugor. Ka pasur edhe paralizim le të themi apo edhe bllokim të kësaj rruge për shkak edhe dëmtimeve të herëpashershme të cilat janë shfaqur në të, por sapo hapet duket se një problematikë tjetër zhvillohet në këtë rrugë. Nuk dihet në fakt se çfarë masash do të merren’, raportoi gazetarja e Syri-t.