Kujdes nga produktet për flokët dhe lëkurën që përmbajnë këto përbërës
Shampot dhe kremrat premtojnë gjithçka, nga flokët me shkëlqim deri te hidratimi i qëndrueshëm dhe lëkura e butë dhe elastike.
Jo aq shpejt. Jo të gjitha produktet janë njësoj të përshtatshme për të gjithë, sepse njerëzit kanë lloje të ndryshme lëkure dhe flokësh, thotë Dhoma e Farmacistëve të Saksonisë së Poshtme të Gjermanisë.
Gjithashtu, disa përbërës në locione dhe shampo mund t’i bëjnë më shumë dëm, sesa dobi lëkurës. Nëse vuani nga një sëmundje kronike, jeni grua shtatzënë ose jeni i moshuar, ju në veçanti duhet të shmangni përbërës të caktuar, sepse trupi juaj mund të jetë më pak i aftë të zbërthejë substancat e dëmshme, thonë specialistët.
Listat e përbërësve shpesh janë një xhungël termash teknikë për konsumatorët.
Pra, së pari, sipas farmacistëve, zgjidhni produkte me lista të shkurtra dhe të qarta përbërësish.
Së dyti, shmangni sa më shumë të jetë e mundur aditivët e rrezikshëm. Farmacistët ofrojnë një përmbledhje të substancave më të zakonshme problematike.
Sulfate
Për çfarë përdoren: Sulfatet janë surfaktantë. Ato përdoren në shampo, sepse e bëjnë produktin të shkumëzojë dhe kanë një efekt heqës të yndyrës.
Problemi: Ato mund ta thajnë skalpin e kokës dhe të shkaktojnë kruajtje. Njerëzit me flokë të hollë dhe të brishtë, janë përgjithësisht më të ndjeshëm ndaj surfaktantëve sesa ata me flokë të trashë. Njerëzit me skalp të thatë duhet të zgjedhin gjithashtu shampo më të buta dhe hidratuese, siç janë ato që përmbajnë ure.
Sulfate tipike: Sulfat lauril natriumi dhe sulfat lauril eter natriumi.
Silikone
Për çfarë përdoren: Silikonet krijojnë një strukturë të lëmuar dhe elastike, dhe përdoren si në produktet e kujdesit për lëkurën ashtu edhe në ato të flokëve.
Problemi: efekti zbutës është shpesh thjesht sipërfaqësor dhe nuk ofron ndonjë kujdes të vërtetë. Në vend të kësaj, ato e vulosin lëkurën. Shampot që përmbajnë silikon janë gjithashtu të papërshtatshme për njerëzit me skalp të yndyrshëm, pasi produkti është shumë i pasur. Nëse ky është rasti juaj, mund të gjeni se një shampo e lehtë që përmban zink ose acid salicilik është më e përshtatshme.
Silikone tipike: dimetikon, ciklopentasiloksan dhe cikloheksasiloksan.
Ruajtësit
Për çfarë shërbejnë: Siç sugjeron edhe emri, këto kimikate e ruajnë produktin, duke siguruar që ai të ketë një afat më të gjatë ruajtjeje.
Problemi: konservuesit në produktet e kujdesit për lëkurën, mund të kenë një efekt hormonal dhe të shkaktojnë alergji në kontakt. Ato shoqërohen gjithashtu me një rrezik alergjie në produktet e kujdesit për flokët dhe mund të irritojnë skalpin e kokës.
Ruajtës tipikë: parabene (si propil dhe butil parabene), çlirues të formaldehidit (si imidazolidinil ure dhe DMDM hidantoinë), metilizotiazolinonë dhe alkool benzili.
Parfume
Për çfarë përdoren: Edhe këtu, emri zbulon funksionin. Aromat i bëjnë produktet të kenë një aromë tërheqëse.
Problemi: Ashtu si konservuesit, aromat mund të shkaktojnë alergji. Sidomos njerëzit me lëkurë dhe skalp të ndjeshëm, duhet të shmangin aromat dhe konservuesit dhe të kërkojnë etiketa të tilla si "hipoalergjik". Njerëzit me sëmundje kronike, janë në rrezik veçanërisht të lartë për alergji nga kontakti.
Aromat tipike: Limonene, linalool dhe citral./ DPA News.