KQZ: Vetëm rinumërimi do të vlejë për rezultatet përfundimtare
Mbi 50 për qind të vendvotimeve janë rinumëruar deri tash në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, i cili po vazhdon të zhvillohet si proces bazuar në dy vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pas evidentimit për manipulim votash të kandidatëve brenda partive politike.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka sqaruar se në rezultate përfundimtare do të përfshihen të dhënat apo rezultatet që dalin nga procesi i rinumërimit dhe jo nga numërimi që është zhvilluar në Qendra Komunale të Numërimit.
“Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme i jep të drejtë KQZ-së për të vendosur rinumërimin e votave në cilindo vendvotim apo qendër të numërimit. Në këtë drejtim, KQZ ka zbatuar ligjin, andaj se cili rezultat do të vlejë pas rinumërimit të të gjitha vendvotimeve, është e qartë: në rezultate përfundimtare do të përfshihen të dhënat apo rezultatet që dalin nga procesi i rinumërimit dhe jo nga numërimi që është zhvilluar në Qendra Komunale të Numërimit”, tha Elezi për RTKlive.
KQZ-ja planifikon që rinumërimi të përfundojë deri në fund të këtij muaji derisa në fillim të shkurtit planifikojnë të dalin me rezultatet përfundimtare.
Pikërisht nën dyshimet për manipulim votash sot pas një aksioni të Prokurorisë Themelore në Prizren janë ndalur 109 persona të dyshuar për këtë vepër penale.
Petrit Kryeziu, kryeprokor i kësaj Prokurorie tha se nga sot të gjithë duhet ta kenë të qartë se kushdo që i futë duart në vullnetin e qytetarëve do të përballen me forcën e ligjit.
Kodi Penal i Republikës së Kosovës, neni 216 në dy pika specifikon qartë dënimet që parashihen për ata që prekin vullnetin e qytetarëve.
“Falsifikimi i rezultateve të votimit 1. Kushdo që shton, heq apo fshin votat apo nënshkrimet, regjistron në mënyrë të pasaktë votën apo rezultatet e zgjedhjeve në dokumentet zgjedhore, ose publikon votën apo rezultatet e zgjedhjeve apo të votimit që nuk i përgjigjen votimit të vërtetë, ose në ndonjë mënyrë tjetër falsifikon votën apo rezultatet e zgjedhjeve, dënohet me burgim prej një (1) deri në tre (3) vjet. 2. Kur vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni kryhet nga anëtari i Komisionit Zgjedhor ose ndonjë person tjetër në keqpërdorim të detyrave, pozitës apo autorizimeve të tij lidhur me zgjedhjet, kryesi dënohet me burgim prej tre (3) deri në pesë (5) vjet”, thuhet në Kodin Penal./ RTK.