Vasili: Rama shndërroi Kuvendin në skenë propagande, por nuk guxoi të firmoste marrëveshjen për Trumpin
I ftuar në emisionin “Syri Digjital”, Ish deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili deklaroi se kryeministri Edi Rama e përdori çështjen e bashkimit të Shqipërisë në “Bordin e Paqes” si një instrument propagande personale, duke manipuluar Kuvendin dhe duke deformuar qëllimisht realitetin politik.
Sipas Vasilit, Rama e paraqiti ftesën si një vlerësim personal për veten e tij, ndërkohë që në thelb bëhej fjalë për një procedurë shtetërore, e cila u trajtua në mënyrë të jashtëligjshme dhe pa respekt për institucionet. Ai theksoi se thirrja e Kuvendit me urgjencë të jashtëzakonshme ishte e pajustifikuar dhe kishte vetëm një synim: krijimin e një shfaqjeje mediatike për konsum politik.
Ai nënvizoi se një kryeministër që përdor Kuvendin për propagandë, por shmang përgjegjësinë politike në momentin final, tregon frikë politike dhe mungesë serioziteti shtetëror. Sipas Vasilit, kjo ngjarje ekspozon qartë mënyrën se si Rama e trajton shtetin si pronë personale dhe institucionet si mjete për imazh, jo për interes publik.
Pjesë nga deklarata:
E tërë kjo histori, që nga dalja e ftesës, hedhja në media, reklamimi i jashtëzakonshëm që kjo ishte një ftesë personale, me demek që i kishte ardhur Ramës nga Trumpi, e të tjera. Kjo ishte fillimi i një komedie të zezë në duart e një mafiozi si Edi Rama, i cili përpiqet të rregullojë, me demagogji e me propagandë, një imazh dhe një realitet politik të shkatërruar, i cili nuk ka dalë mbarë.
Së pari, ishte Rama vetë, po dje, që të gjithë këtë farsë e rrëzoi në tokë. Kuvendi i Shqipërisë u thirr me një urgjencë të jashtëzakonshme, gjë që nuk ka lidhje fare me një marrëveshje ndërkombëtare. Asnjë marrëveshje ndërkombëtare, vetëm ku, di unë, Shqipëria bëhet pjesë e një koalicioni që hyn në një luftë të madhe botërore, mund të ndodhte kjo punë. Nuk kishte asnjë arsye për këtë nxitim.
Së dyti, u rreshtua edhe nënpunësi i qeverisë Begaj, se s’mund t’i themi më presidenti Begaj, se jemi dakord që të gjithë, i cili në mënyrë të paligjshme i jep të drejtën dhe plotfuqishmërinë sipas vendimit të Këshillit të Ministrave. Qytetari që na ndjek mund të thotë: “Po ç’problem ka këtu?” Po ka problem. Dhe shumë të madh. Dhe do të thotë që ti ligjin ta shkelësh, ta bastardosh, ta shkatërrosh, të hedhësh shtetin në tokë.
Sepse ky propozim shkoi në Kuvend dhe do të votohej në Kuvend. E deri në momentin që do votohet, marrëveshja nuk ka marrë fuqi. Ky është një lloj sikurse ky presidenti t’i firmoste ligjet, sikurse propozon nga qeveria, pa pritur që t’i miratojë Kuvendi i Shqipërisë, që ka të drejtën të miratojë ligjet. Ky e bën dhe nuk i bën ndonjë gjë të jashtëzakonshme.
Njëherazi, ju patë edhe miratimin me vrap dhe votimin në Kuvend, në Parlament. Tani pyetja që bëjnë tërë këta shqiptarë: kuptuan shqiptarët që Edi Rama kishte një nxitim të madh. Por po dje, u kuptua që nuk ishte asnjë nxitim. Kuptuan që ishte vetëm një propagandë. Kuptuan që ka ca halle Edi Rama, ka ca halle të mëdha për të cilat nuk mund të shkonte atje të firmoste, sepse po të kishte nxitim, gjëja e parë që do të bënte do ishte me vrap të firmoste atje.
Sepse ky tha që ftesa ishte personale. Po si doli përpara shqiptarëve? Lëvizi Parlamentin, lëvizi presidentin, i vuri të gjithë, i bëri rresht tërë këto, të njëjtë, këto dele patronazhiste të Kuvendit dhe të Presidencës, dhe në fund tha: “Nuk kam nge unë, se pret kjo punë, kam për të pritur Ivanka Trumpin,” e cila kishte ardhur për një biznes privat, në një vizitë private, që s’kishte lidhje as me politikën, as me një gjë tjetër.
I bie që të gjithë biznesmenët, sepse ka biznesmenë lloj-llojesh që vijnë të investojnë apo kanë dëshirë në Shqipëri, të lihet çdo lloj pune, çdo lloj gjëje, të mos shkohet as në Bashkimin Europian për mbledhjet që ishin, as gjëkundi, por të merret vetëm me biznesmenët. Kjo ishte një flluskë sapuni propagandistike, që i desh Ramës të mbushte ca ditë. Sipas skenarit të lobimeve që Rama kishte përgatitur, ai do të shkonte atje dhe të bënte ndonjë show, të kishte mundësi të varej te pantallonat e Donald Trumpit, apo te cepi i xhaketës, apo të bënte karagjozin e sallës, sepse ju e dini që Edi Rama është shumë i mirë të bëjë karagjozin në salla, nuk është për gjë tjetër. Shakaxhiun, dikur thoshin kllouni, palaçon, që mbanin mbretërit për të bërë shaka e gjëra të tilla.
Dhe pikërisht, sepse as si i tillë, as si palaço oborri nuk u pranua, ndenji këtu dhe tha që unë kam për të shoqëruar Ivanka Trumpin. Po mirë, po pse e mblodhe Kuvendin me vrap? Shkele çdo lloj procedure. Miratoi Kuvendi për herë të parë në 35 vjet. Marrëveshjet ndërkombëtare janë detyrime ndërkombëtare që merr shteti shqiptar. Dhe kurrë e kurrë nuk shkruhet kush i firmos. Pse? Sepse kryeministri, presidenti apo kushdo që jetë i ngarkuar mund të largohet nga detyra për arsye politike, për arsye shëndetësore, larg qoftë i merr Perëndia jetën, e të tjera, dhe sigurisht këto detyrime i ka gjithmonë shteti.
Kjo për herë të parë, në mënyrën më fshatarake dhe më vulgare, se Edi Rama vetëm këto mund të bëjë, i vuri emrin që e firmos: kryeministri Edi Rama. E në fund, dasma e madhe u bë, po ku ishte ky kryedasmori? Ky tha: “Unë do të shkoj të ha darkë me Ivanka Trumpin.” Po bordi, po Donald Trumpi, që sipas tij e kishte dhënë miratimin? Kjo ishte e gjitha.
Kjo na tregoi qartë se shteti shqiptar është zhbërë. Prandaj, nuk thuhet kot nga opozita dhe shumë njerëz të tjerë që populli duhet të marrë situatën në dorë për të rivendosur dhe ngjitur përfaqësues të një shteti që sillet si shtetar. Këtu është një grup rrugaçësh dhe horrash, të cilët sillen si horra.
Përse nuk vajti të firmoste, të takonte, të shkëmbente një bisedë sikurse Vjosa Osmani, presidente e Kosovës? Amerika politike, kushtetuese, zyrtare quhet Donald Trump, nuk quhet Ivanka Trump. Ivanka Trump është një person privat, shumë i mirë, i nderuar, i respektuar, vajza e presidentit, patjetër, por ju e dini shumë mirë që, në qoftë se duam të bëhemi serioz, Ivanka Trump në administratën e mëparshme të Trumpit ka pasur role zyrtare, të cilat role nuk i ka më, për zgjedhjet e veta që familja Trump ka bërë.
Dhe sot raporti i Donald Trumpit me Shqipërinë, me qeverinë shqiptare, është me presidentin Donald Trump. I gjithë dynjaja i thotë: ja kush është Amerika; ne i themi: po ja, është kjo biseda. Në qoftë se nuk shkon dot të ulesh, t’i afrohesh Donald Trumpit, të tregon humorin që tregoi Macronit, apo si Donald Trumpi sipas Ramës e ka interpretuar Armeninë dhe Azerbajxhanin në konfliktin ndërkombëtar. T’ia tregonte edhe njëherë Donald Trumpit atë humor me kurajën që bëri kurrë, dhe do shikonim çfarë do të ndodhte.
Mos do ta nxirrte Donald Trumpi si Zelenskyn, siç i tregoi Votni Zelenskyt kur desh të bënte dëngla në Shtëpinë e Bardhë? Pra, ky është thjesht, ta bëjmë më të thjeshtë për popullin dhe ta ketë më të qartë: ky është thjesht një frikacak. Frikacak politik, frikacak shtetëror, frikacak në të gjithë mënyrën e jetës së tij. Për shkak të frikës, u fshihet pas kriminelëve; për shkak të frikës, vë bedela përpara, siç i kemi parë zëvendëskryeministrat e tij që kanë firmosur të gjitha aktet më të rënda të qeverisë, në mënyrë që sa herë të hapen hetimet apo dosjet, të dënohen ata.
Frikacaku, i cili sigurisht kishte mundësi t’i afrohej Donald Trumpit, por i erdhi mundësia. Ty, me demek, e kishte ftuar Donald Trumpi me emër. Pse s’vajti? Pra, thjesht dhe vetëm kemi frikë, frikacak. Kush është në këtë rast? Sepse gjithë kohën është i korruptuar, është një njeri që shkel ligjet dhe i dhunon ato, është një njeri që vepron për interesat personale të tij dhe të pasurimit dhe të korruptimit. Dhe prej kësaj, është i trembur dhe i pasigurt. Ju keni parë të gjithë ata që kanë qeverisur Shqipërinë: Sali Berisha, Ilir Meta, Fatos Nano, e të tjera, kanë qëndruar ballë për ballë me burrat e shtetit, edhe në momentet më të vështira dhe më të mira, por kanë qenë aty. Dhe nuk janë shmangur nga detyrimi.