Arsenal sfidon Barcelonën për sulmuesin argjentinas, por duhen mbi 100 milionë euro

Interesi për Julian Alvarez po rritet dita-ditës. Sulmuesi i Atletico Madridit, i ardhur nga Manchester City për 82 milionë paundë në 2024, ka shënuar 45 gola në 80 ndeshje me skuadrën e Diego Simeone-s, dhe tani po ndiqet nga disa klube të mëdha europiane, përfshirë Arsenal dhe Barcelona, sipas raportimeve të ESPN.

Atletico kërkon më shumë se 100 milionë euro për ta lënë të lirë argjentinasin, i cili vazhdon të jetë një pikë referimi për ekipin spanjoll, edhe pse performanca e tij ka pasur disa ulje në javët e fundit. Simeone vazhdon t’i besojë duke e vendosur titullar, duke treguar rëndësinë që ka sulmuesi në projektin e skuadrës.

Arsenal duket se po përgatitet për një ofertë gjatë verës, ndërsa Barcelona gjithashtu po monitoron situatën për të siguruar shërbimet e Alvarez. E ardhmja e tij pritet të lidhet edhe me vendin e tij te kombëtarja e Argjentinës, pasi ai synon një vend titullari në numrin 9 përpara Kupës së Botës që do të zhvillohet këtë vit në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada.

Megjithëse e ardhmja e Alvarez te Atletico është e qartë për momentin, interesimi i klubeve “big” po rrit presionin për një largim të mundshëm muajt e ardhshëm, me vlerën e tij të tregut që tashmë ka tejkaluar shifrën e 100 milionë eurove.