Wilder–Chisora drejt ringut, përballja synohet në prill
Dy emra të mëdhenj të peshës së rëndë në boks janë gjithnjë e më pranë një përballjeje që pritet të zgjojë interes të madh te tifozët. Amerikani Deontay Wilder dhe britaniku Derek Chisora po negociojnë për një duel që, sipas burimeve pranë palëve, do të zhvillohet në prill të këtij viti.
Wilder, ish-kampion bote në peshën e rëndë, numëron 44 fitore, 4 humbje dhe 1 barazim në karrierën e tij profesionale. I njohur për fuqinë shkatërruese të goditjes, “Bronze Bomber” po kërkon të ndërtojë një rikthim të fortë në majat e boksit botëror. Përballë tij pritet të jetë Derek Chisora, një veteran me 36 fitore dhe 13 humbje, i cili po përgatitet për ndeshjen e 50-të në karrierë.
“Jemi në negociata dhe marrëveshja është shumë pranë finalizimit”, ka deklaruar Shelly Finkel, bashkëmenaxherja e Wilder, duke konfirmuar se bisedimet janë në fazë të avancuar. Më herët, kampioni i botës Oleksandr Usyk kishte shprehur dëshirën për t’u përballur me Wilder, por amerikani ka vendosur që fillimisht do të ndeshet me Chisora.
Spekulimet për këtë duel u shtuan edhe më shumë muajin e kaluar, kur të dy boksierët ishin të pranishëm në eventin IBA Pro 13 në Dubai. Wilder vjen nga një fitore ndaj Tyrrell Herndon në qershor të vitit të kaluar, ndërsa Chisora ka regjistruar tri fitore radhazi, me suksesin e fundit ndaj Otto Wallin në shkurt.
Nëse gjithçka mbyllet sipas planit, kjo sfidë do të shërbejë si test i rëndësishëm për Wilder, i cili më vonë gjatë vitit do të synojë një duel të madh për titull kundër Oleksandr Usyk.