Ferrari hap një kapitull të ri, njëvendëshja italiane del në pistë, Leclerc dhe Hamilton në provat e para

Pas prezantimeve të Red Bull-it dhe Mercedes-it, sot ka qenë radha e Ferrari-t të heqë perden nga makina e re me të cilën Charles Leclerc dhe Lewis Hamilton do të garojnë në sezonin e ardhshëm të Formula 1. Zbulimi u bë përmes rrjeteve sociale, ndërsa menjëherë pas tij njëvendëshja doli në pistën e Fioranos për testimet e para.

Elementi që ka tërhequr më shumë vëmendjen është skema e re e ngjyrave. Ferrari ka zgjedhur një kombinim të guximshëm mes së kuqes tradicionale dhe së bardhës, me pjesën e sipërme të makinës të lyer në të bardhë. Një zgjedhje që ka surprizuar tifozët, por që në të kaluarën ka qenë pjesë e historisë së “Kokëkuqes” në disa sezone.

Sezoni i ri shënon fillimin e një epoke të re në Formula 1, falë rregullave të reja teknike, dhe në Maranello shpresa është e madhe për t’u rikthyer në majë pas më shumë se 15 vitesh pa titull kampion. Njëvendëshja e re pritet të jetë më konkurruese, ndërsa testet në Fiorano do të shërbejnë për vlerësimet e para teknike.

Pritshmëritë janë të larta dhe Ferrari ka punuar prej kohësh në heshtje për të ndërtuar një makinë të shpejtë dhe të besueshme. Leclerc dhe Hamilton ndodhen të dy në Fiorano, ku po provojnë makinën në pistë, pas javëve intensive të punës në simulator, në kërkim të sinjaleve të para pozitive për një sezon ambicioz.