Pep Guardiola përkulet para Arsenalit? Befason me deklaratën: Ata janë skuadra më e mirë në botë

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka befasuar me deklaratën e tij të fundit, duke e cilësuar Arsenalin si skuadrën më të mirë në botë aktualisht.

“Topçinjtë” po kalojnë një sezon të jashtëzakonshëm, duke kryesuar Ligën Premier me shtatë pikë epërsi. Ata janë gjithashtu skuadra e parë që ka siguruar kualifikimin në fazën e 1/8-tës së Ligës së Kampionëve, ndërsa ndodhen në një pozitë të favorshme për të arritur finalen e Kupës Carabao pas fitores ndaj Chelseat në ndeshjen e parë gjysmëfinale.

Këto rezultate kanë bërë që edhe rivali i tyre direkt për titull në Angli, Pep Guardiola, t’i vlerësojë maksimalisht londinezët.

“Absolutisht. Ata janë skuadra më e mirë në botë, duke fituar në Ligën Premier, Ligën e Kampionëve, Kupën FA dhe Kupën Carabao”, deklaroi fillimisht Guardiola në konferencë për shtyp.

“Ata janë skuadra më e mirë tani dhe shpresojmë se mund të jemi afër, duke u përmirësuar dhe ata mund të na japin një shans për t’i arritur”, përfundoi trajneri i Manchester Cityt.

Deklarata e teknikut spanjoll pritet të ndezë edhe më shumë rivalitetin mes dy skuadrave në garën për trofetë këtë sezon.