Bardhi me Ministrin gjerman për Europën: Jetike për Shqipërinë lufta ndaj korrupsionit dhe lidhjeve të qeverisjes me krimin e organizuar

Gazment Bardhi ka zhvilluar një takim me Ministrin për Europën në Ministrinë e Jashtme Gjermane, Gunther Krischbaum, ku në fokus të diskutimeve ka qenë procesi i integrimit europian të Shqipërisë dhe sfidat që, sipas tij, mbeten thelbësore për vendin.

Në një njoftim publik, Bardhi e cilësoi takimin si të rëndësishëm, duke theksuar se integrimi europian duhet të jetë një proces i bazuar në meritë dhe në zbatimin real të standardeve të Bashkimit Europian, dhe jo një mekanizëm për të justifikuar, sipas tij, problematikat e keqqeverisjes.

Ai u shpreh se opozita mbështet plotësisht integrimin europian të Shqipërisë, por nënvizoi se ky proces duhet të shoqërohet me reforma konkrete dhe rezultate të prekshme. Sipas Bardhit, ndër prioritetet kyçe mbeten garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, forcimi i qeverisjes së mirë në shërbim të qytetarëve, si dhe lufta kundër korrupsionit dhe lidhjeve të mundshme të qeverisjes me krimin e organizuar.

Gjithashtu, ai theksoi rëndësinë e pavarësisë dhe integritetit të organeve të drejtësisë, duke kërkuar që ato të lejohen të ushtrojnë detyrën e tyre në përputhje me parimet e shtetit ligjor. Bardhi vuri në dukje edhe domosdoshmërinë e funksionimit demokratik të institucioneve, me theks të veçantë te roli i Kuvendit të Shqipërisë.

NJOFTIMI I PLOTË I GAZMENT BARDHIT:

Kënaqësi takimi me Ministrin per Europën në Ministrinë e Jashtme Gjermane z. Gunther Krischbaum. 

Integrimi Europian i Shqipërisë duhet të jetë një proces që synon implementimin e standardeve europiane në vend, dhe jo të përdoret si justifikim për të mbuluar keqqeverisjen. Opozita mbështet plotësisht procesin e integrimit të bazuar në standarde dhe në meritë.  

Në këtë proces, theksova se mbetet jetike për Shqipërinë garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, qeverisja e mirë në dobi të qytetarëve, lufta ndaj korrupsionit dhe lidhjeve të qeverisjes me krimin e organizuar, lejimi i organeve të drejtësisë të bëjnë me integritet dhe pavarësi punën e tyre në përputhje me parimet e shtetit ligjor, si dhe funksionimi demokratik i institucioneve, veçanërisht i Kuvendit të Shqipërisë.