Zyrtare: Anis Mehmeti transferohet te Ipswich Town, firmos deri në vitin 2029

Ipswich Town ka zyrtarizuar transferimin e mesfushorit shqiptar, Anis Mehmeti, nga Bristol City, duke përforcuar skuadrën në garën për ngjitje në Ligën Premier.

Reprezentuesi i Kombëtares së Shqipërisë ka ndërruar klub gjatë ditës së premte, por do të vazhdojë të jetë pjesë e Championshipit anglez. Klubi nga “Portman Road” konfirmoi se 25-vjeçari është transferuar për një tarifë të pazbuluar dhe ka nënshkruar kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2029.

“Klubi është i kënaqur të konfirmojë nënshkrimin e Anis Mehmetit nga Bristol City. 25-vjeçari i bashkohet Bluve për një tarifë të pazbuluar dhe ka nënshkruar një marrëveshje deri në verën e vitit 2029”, thuhet në njoftimin zyrtar të Ipswich Town.

Mehmeti transferohet te Ipswich pas një gjysmësezoni mbresëlënës me Bristol Cityn në edicionin 2025/26 të Sky Bet Championship, ku ka realizuar tetë gola dhe ka dhuruar gjashtë asistime. I njohur për shkathtësinë dhe fleksibilitetin në repartin ofensiv, ai pritet të jetë një armë shtesë për skuadrën në fazën vendimtare të sezonit.

Faqja zyrtare e klubit ka bërë të ditur gjithashtu se Mehmeti do të mbajë fanellën me numrin 33.

Pas firmës, futbollisti shqiptar u shpreh entuziast për hapin e ri në karrierën e tij:
“Jam shumë i emocionuar që kam nënshkruar për klubin. Çdo gjë që klubi po përpiqet të arrijë përputhet me ambiciet e mia dhe kjo flet vetë. Tifozët janë të mrekullueshëm dhe mezi pres të luaj para tyre”, deklaroi Mehmeti.

Ipswich Town aktualisht mban vendin e tretë në renditjen e Championship dhe konsiderohet si një nga pretendentët kryesorë për t’u ngjitur në Premier League në sezonin e ardhshëm. Transferimi i Mehmetit shihet si një lëvizje strategjike për të rritur shanset e klubit në objektivin madhor.