Banorët e lagjes Belerbe në Elbasan kundër varrezave të reja: Nuk pati asnjë konsultim publik

Banorët e lagjes Belerbe, në Bashkinë Elbasan, janë mbledhur ditën e sotme për të ngritur shqetësimin e tyre lidhur me hapjen e një parcele të re për varrezat publike të qytetit, shumë pranë banesave të tyre.

Sipas banorëve, ata jetojnë në këtë lagje prej rreth një shekulli, ndërsa vendimi për ndërtimin e varrezave është marrë pa asnjë konsultim publik apo dëgjesë me komunitetin. Qytetarët shprehen të indinjuar nga ky vendim i Bashkisë Elbasan, të cilin e konsiderojnë të padrejtë dhe të papranueshëm.

Në një prononcim për SYRI TV, banorët deklarojnë se po organizohen përmes një peticioni për të kundërshtuar zyrtarisht këtë vendim.

Të shqetësuar, ata theksojnë se zona është e banuar dhe se prania e varrezave pranë banesave do të ndikojë negativisht, veçanërisht tek fëmijët, të cilët sipas tyre ndihen të frikësuar. Banorët shprehen se kjo situatë mund të shkaktojë dëme psikologjike tek më të vegjlit.

Banorët shtojnë se më herët u ishte premtuar se kjo hapësirë do të shndërrohej në park rekreativ për komunitetin, ndërsa vetëm së fundmi, nga punonjësit në terren, janë informuar se aty po punohet për ndërtimin e varrezave të reja.

Nga ana tjetër, SYRI TV është interesuar pranë Bashkisë Elbasan lidhur me këtë shqetësim. Sipas përgjigjes zyrtare, toka ku po hapet parcela e re për varrezat është sipërfaqe toke shtetërore në administrim të Bashkisë Elbasan dhe e parashikuar në planet për këtë funksion.

Pavarësisht këtij qëndrimi, banorët ditën e sotme kanë nënshkruar një peticion, i cili do t’u drejtohet institucioneve shtetërore përkatëse, në kundërshtim të vendimit. Në mbështetje të banorëve kanë qenë edhe anëtarë opozitarë të Këshillit Bashkiak, të cilët kanë shprehur solidaritetin e tyre me shqetësimin e komunitetit.