Shkodër/ Punimet e ujësjellësit në fshatin Bleran, banorët: Na shkatërruan rrugën dhe uji nuk vjen
Punimet për ujësjellësin në fshatin Bleran, në njësinë administrative Rrethina të Bashkisë Shkodër, në vend që të përmirësonin jetesën e banorëve, kanë sjellë probleme dhe dëme të shumta për komunitetin.
Banorët denoncojnë se gjatë punimeve është dëmtuar rëndë rruga e fshatit, duke e bërë të vështirë qarkullimin, ndërsa sipas tyre, edhe pas përfundimit të investimit, uji nuk ka mbërritur në banesat e tyre. Ata shprehen të zhgënjyer dhe të revoltuar, duke e cilësuar projektin si të dështuar dhe pa asnjë përfitim real për komunitetin.
Sipas banorëve, premtimet e Bashkisë Shkodër për furnizim të rregullt me ujë kanë mbetur vetëm në letër. Ata akuzojnë institucionin vendor për mungesë transparence dhe abuzim me fondet publike, duke theksuar se ndihen të mashtruar dhe të vjedhur.
Në këtë zonë jetojnë mbi 85 familje, të cilat përballen çdo ditë me pasojat e punimeve të papërfunduara dhe mungesën e një shërbimi bazë si uji i pijshëm. Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente, rikonstruksion të rrugës dhe zgjidhje reale për furnizimin me ujë, ndërsa paralajmërojnë se do të vijojnë protestat nëse institucionet nuk reagojnë.
Nga Bashkia Shkodër, deri më tani, nuk ka pasur një reagim zyrtar lidhur me ankesat e banorëve të Bleranit.