SYRI TV/ Durrësi i përmbytur, ujësjellësi 1 mln € për zyra, mijëra banorë vuajnë pasojat e abuzimeve
Banorët e Durrëist vijojnë të vuaj pasojat e përmbytjeve të javës së parë të Janarit. Ndërsa qytetarët ankohen për mungesë dëmshpërblimi, Bashkia e Durrësit duket se fokusin e ka te luksi dhe shpenzimet për zyrat. Në vend të dëmshpërblimit të qytetarëve, në datë 21 Janar kjo bashki ka hapur tenderin e luksit, ku 1 milionë euro do të shpenzohen për mobilimin e zyrave të punonjësve të Bashkisë.
SYRI TV
Ujësjellësi i Durrësit ka vendosur të shpenzojë rreth 1 milionë euro për zyra të reja, ndërkohë që pasojat katastrofike të tenderave klientelistë të ndërmarrjes publike në kanalizimet e qytetit janë ende evidente.
Në ditët e para të Janarit të këtij viti, pjesa më e madhe e Durrësit u përmbyt nga shirat, ku dëmet më të mëdha ishin në zonën e ish-Kënetës dhe Porto Romanos. Bashkia e Durrësit, nëpërmjet ndërmarrjes së Ujësjellësit, kishte shpenzuar rreth 20 milionë euro për rehabilitimin dhe sistemimin e rrjetit të kanalizimeve në këtë zonë.
Përfituesit ishin kompania “2T” me aksioner Artan Sakon, vëllain e ish-drejtorit jetëgjatë të Gardës, Gramoz Sako, aktualisht kryebashkiaku socialist i Tepelenës dhe shoqëria “Adriatik”, e familjes së ish-drejtorit të Ujësjellësit të qytetit, Spartak Kovaçi. Shpenzimi kolosal dhe i dyshuar korruptiv rezultoi një dështim i plotë.
Mijëra banesa dhe sipërfaqe toke u përmbytën, pasi investimi nuk përmbushi as kërkesat mininale për të cilin ishte projektuar. Megjithëse në kushte emergjence, Ujësjellësi i Durrësit ka prioritete të tjera. Në 21 Janar, ndërmarrja në varësi të kryebashkiakes Emirjana Sako, ka shpallur tenderin me objekt
“Ndërtimi i zyrave të reja të Drejtorisë së Shqërisë Rajonale të Ujësjellës-Kanalizime Durrës”. Fondi për këtë investim është 90 milionë lekë të reja pa TVSH ose rreth 1 milionë euro.
Në dokumentat e tenderit thuhet se ndërtimi i zyrave të reja është domosdoshmëri, për shkak të ristrukturimit të ndërmarrjes publike dhe për të rritur përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve. Fjalët në projekt duken të bukura, ndërkohë që shërbimi për qytetarët në terren është tërësisht i ndryshëm.
Qytetarët e Durrësit, për ditë me radhë, organizuan protesta para bashkisë së qytetit, pasi e panë veten të përmbytur në shtëpitë e tyre, falë projekteve skandaloze të Ujësjellësit.
Në përgjigje të reagimit qytetar, Bashkia dhe Ujësjellësi kanë vendosur të shpenzojë rreth 1 miliardë lekë të vjetra për zyrat e administratës.