Ukraina dhe Rusia raportojnë sulme me dronë gjatë natës
Ukraina dhe Rusia kanë raportuar sulme me dronë gjatë orëve të natës. Guvernatori i rajonit të Penzës në Rusi, Oleg Melnichenko, ka deklaruar përmes një postimi në Telegram se një sulm me dron ka shkaktuar zjarr në një depo nafte në Penza, një zonë e vendosur në juglindje të Moskës.
Ndërkohë, në Ukrainë, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura ka njoftuar se gjatë natës janë kryer sulme ajrore, gjatë të cilave dronë kanë goditur 12 lokacione të ndryshme në territorin e vendit.
Sulmet e fundit ruse ndaj infrastrukturës kritike kanë lënë dhjetëra mijëra banorë në Ukrainë përballë temperaturave shumë të ulëta, pa energji elektrike dhe pa ngrohje.
Në një përditësim të publikuar këtë mëngjes në Telegram, kryetari i bashkisë së Kievit bëri të ditur se aktualisht 1 mijë e 940 ndërtesa shumëkatëshe në kryeqytet janë pa ngrohje. Sipas tij, kjo situatë është pasojë e sulmeve të kryera më herët gjatë këtij muaji. Temperaturat në Kiev kanë qëndruar rreth 10 gradë Celsius.
Ukraina po përballet me një krizë të thellë energjetike pas muajsh sulmesh të vazhdueshme ruse ndaj infrastrukturës së saj. Presidenti Volodymyr Zelensky ka deklaruar se Moska po shfrytëzon qëllimisht dimrin e ashpër, duke lënë dhjetëra mijëra qytetarë pa energji elektrike, ngrohje dhe ujë të rrjedhshëm.
Shumica e termocentraleve konvencionale të vendit janë goditur ose dëmtuar nga sulmet ajrore ruse. Ndërkohë, centrali bërthamor i Zhaporizhzhias, më i madhi në Ukrainë ndodhet nën kontrollin e Rusisë që nga fillimi i luftës. E ardhmja e këtij objekti konsiderohet një nga çështjet më kritike në çdo marrëveshje të mundshme paqeje mes Ukrainës dhe Rusisë.