Zelensky 'sfidon' Evropën: Trump do të ndryshojë

Volodymyr Zelensky mbërriti në Forumin Ekonomik Botëror në Davos për t’u vënë një pasqyrë të ashpër përballë mbështetësve të tij evropianë. Dhe, kur ky mesazh vjen nga një Kiev i ngrirë, pa ujë të rrjedhshëm, tingëllon më bindës sesa kur artikulohet nga Donald Trump nga resorti i tij në Mar-a-Lago. Por mesazhi i liderit ukrainas ishte, nëse është e mundur, edhe më i fortë.

Zelensky vinte nga një takim me Donald Trump, të cilin e cilësoi jo vendimtar, por pozitiv sa i përket garancive të sigurisë dhe një plani për rimëkëmbjen ekonomike të Ukrainës. Megjithatë, ndaj aleatëve të Kievit, veçanërisht atyre evropianë, ai nuk e fshehu irritimin.

“Të gjithë e njohin filmin: askush nuk dëshiron të përsërisë të njëjtën gjë për vite me radhë, por ne po jetojmë pikërisht kështu”, tha ai. “Një vit më parë thosha se Evropa duhet të mësojë të mbrohet dhe jemi saktësisht në të njëjtën pikë”.

Sipas Zelensky-t, edhe rasti i Groenlandës e tregon këtë. “Është e qartë se shumica e qeverive evropiane ende nuk dinë çfarë të bëjnë; duket sikur të gjithë presin që Amerika të qetësohet. Po nëse nuk qetësohet?”, pyeti ai. “Duke dërguar 40 ushtarë, rrezikoni të mos merren seriozisht nga askush”.

Kritika e tij ndaj qasjes evropiane përballë Trump ishte ndër më të ashprat. Zelensky kujtoi se si Evropa i la vetëm protestuesit bjellorusë për demokraci në vitin 2020 dhe sot përballet me raketa ruse Oreshnik të vendosura në Bjellorusi, të afta të godasin shumë kryeqytete evropiane. Ai përmendi edhe reagimin minimal ndaj regjimit iranian pas shtypjes së protestave (“ishte Krishtlindje”). “Në vend që të marrë drejtimin në mbrojtjen e lirisë në botë, kur vëmendja e Amerikës zhvendoset diku tjetër. Evropa duket e humbur, përpiqet të bindë Trump-in të ndryshojë. Por ai nuk ndryshon, sepse i pëlqen të jetë ai që është”, tha Zelensky.

Në këtë kuadër, Zelensky këmbënguli se “Evropa mbetet në ‘modalitetin Groenlandë’: ‘Një ditë, dikush, diku, do të bëjë diçka’. Por ne shohim se forcat që duan të shkatërrojnë Evropën nuk presin”. Ai përmendi kryeministrin hungarez Viktor Orbán, për të cilin së fundmi Giorgia Meloni regjistroi një video elektorale.

“Çdo Viktor që jeton me para evropiane e meriton një goditje në kokë. Dhe nëse ndihet rehat në Moskë, kjo nuk do të thotë se duhet t’i kthejë kryeqytetet evropiane në ‘Moska të vogla’”.

Sipas Zelensky-t, irritimi i tij buron nga tre dështime kryesore: pamundësia e Evropës për të përdorur fondet ruse të ngrira në favor të Ukrainës; sanksionet e vendosura me ngadalësi dhe të zbatuara dobët, veçanërisht për naftën; dhe vonesat në dërgimin e armëve jetike për Ukrainën.

“Për raketat me rreze të gjatë u fol gjatë gjithë vitit të kaluar, tani nuk flitet më fare”, sulmoi ai. “Në Evropë na këshillojnë të mos ua përmendim amerikanëve Tomahawk-ët, për të mos ua prishur humorin, dhe të mos ngremë çështjen e raketave gjermane Taurus”.

Ai ngriti edhe një pyetje provokuese: A nuk do të ishte më pak e kushtueshme për Evropën të ndalonte komponentët evropianë që përfundojnë në raketat ruse, në vend që të blejë armë? Sa i përket naftës, Zelensky pyeti: “Pse Trump ndaloi cisternat e ‘flotës fantazmë’ ruse dhe sekuestroi naftën, ndërsa Evropa nuk bën të njëjtën gjë me ato që kalojnë përgjatë brigjeve të saj?”. Ai kujtoi se rreth 50% e eksportit rus të naftës kalon përmes ngushticës pranë Kopenhagenit.

Së fundi, ai u ndal te marrëveshja e dështuar për rezervat. “Jemi mirënjohës për 90 miliardët që Evropa do të na japë, por Putin-i arriti të bllokojë përdorimin e fondeve të ngrira”, duke kujtuar se Italia dhe Gjermania ishin kundër.

Përfundimi i Zelensky-t ishte drastik.

“Jemi mirënjohës për garancitë e sigurisë, por ato do të vijnë pas luftës dhe pa Amerikën nuk funksionojnë. Evropa pëlqen të diskutojë për të ardhmen, por shmang të veprojë sot”. Dhe shtoi: “Ajo mbështetet në bindjen se, në rast rreziku, NATO do të vepronte. Por askush nuk e ka parë ndonjëherë aleancën në veprim. Po sikur Shtetet e Bashkuara të mos vepronin?”./Corriere della Sera