Shoqëria civile në deklaratë të përbashkët: Shpifja dhe fyerja duhet të dekriminalizohen për të gjithë
Një koalicion i gjerë organizatash të shoqërisë civile dhe medias ka publikuar sot një Deklaratë të Përbashkët, ku i bën thirrje Kuvendit të Shqipërisë të ndërmarrë dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe fyerjes dhe të garantojë mbrojtje të barabartë të lirisë së shprehjes për të gjithë individët.
Reagimi vjen pas miratimit të ndryshimeve në Kodin Penal në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike më 21 janar. Organizatat mirëpresin forcimin e mbrojtjes penale për gazetarët në rastet kur ata kërcënohen apo sulmohen për shkak të ushtrimit të detyrës, por theksojnë se ndryshimet e miratuara nuk realizojnë dekriminalizim të përgjithshëm.
Sipas deklaratës, përjashtimi nga përgjegjësia penale kufizohet vetëm për gazetarët “e regjistruar dhe të njohur” dhe vetëm për veprën e shpifjes, duke lënë jashtë fyerjen dhe aktorë të tjerë publikë si aktivistë, organizata jofitimprurëse, studiues, sinjalizues dhe qytetarë. Kjo qasje, theksojnë organizatat, krijon pasiguri juridike, devijon nga standardet evropiane dhe e lidh mbrojtjen e fjalës së lirë me statusin profesional, jo me interesin publik dhe mirëbesimin.
Deklarata nënvizon gjithashtu se Shqipëria nuk ka dhe nuk duhet të ketë një sistem ligjor për regjistrimin e gazetarëve, pasi një mekanizëm i tillë do të binte ndesh me standardet e lirisë së shprehjes dhe do të rrezikonte pluralizmin mediatik. Për më tepër, mbajtja e fyerjes si vepër penale rrezikon që rastet e shpifjes të trajtohen përmes këtij neni, duke anashkaluar garancitë e parashikuara.
Shoqëria civile i kërkon Kuvendit që, përpara miratimit përfundimtar në seancë plenare, të ndërmarrë dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe fyerjes për të gjithë, duke e bazuar mbrojtjen ligjore në shprehjen në interes publik dhe në mirëbesim. Sipas nënshkruesve, një reformë e tillë është e domosdoshme për përputhjen me standardet e Bashkimit Evropian dhe të Këshillit të Europës dhe për garantimin real të lirisë së shprehjes në një shoqëri demokratike.
Deklarata është nënshkruar nga 19 organizata të shoqërisë civile dhe medias, përfshirë AGSH, BIRN Albania, IDM, ISP, Partners Albania, Citizens.al dhe Civil Rights Defenders Albania.
Deklarata: