Itali/ 'Audi' përplaset me një kamion, humb jetën tragjikisht 20-vjeçari shqiptar

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur ditën e sotme në Itali, ku një 20-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në mënyrë tragjike.

Viktima është identifikuar si Klaudio Gjoka. Ngjarja ka ndodhur në autostradën e Rrugës Shtetërore 589 Saluzzo–Barge, pranë Abacisë Stafarda.

Sipas mediave italiane, aksidenti u shkaktua nga një përplasje e fortë mes një kamioni dhe një automjeti tip “Audi”, i cili drejtohej nga i riu shqiptar. Përplasja rezultoi fatale për 20-vjeçarin.

Në vendngjarje mbërritën menjëherë zjarrfikësit e Saluzzo-s, të cilët u detyruan të nxirrnin trupin e pajetë nga mjeti, si edhe karabinierët dhe shërbimet e urgjencës shëndetësore.

Si pasojë e aksidentit, rruga u mbyll për disa orë, duke shkaktuar kaos në qarkullim, ndërsa më pas u rihap pas përfundimit të procedurave nga autoritetet.