'E lanë të vritej?' Detaje shokuese për ekzekutimin e Jani Aliajt! Kush e riktheu në burgun ku i morën jetën?

Gazetari grek Panagiotis Stathis ka sjellë detaje të reja lidhur me vrasjen e të dënuarit shqiptar me burgim të përjetshëm, Jani Aliaj, ngjarje e ndodhur pasditen e së hënës në burgun e Korydallos.

Stathis deklaron se Aliaj, 49 vjeç, njihej si një kriminel i rrezikshëm dhe besohet të ketë qenë pjesë e të ashtuquajturës Mafia Greke. Për shkak të informacioneve se ndaj tij ekzistonte një kontratë vdekjeje, ai ishte transferuar pak kohë më parë në burgun e grave, si masë mbrojtëse. Megjithatë, pa një justifikim të qartë, Aliaj u rikthye në sektorin e burrave.

“Duke pasur parasysh se kishte informacione për një kontratë vdekjeje ndaj tij, ai ishte transferuar për mbrojtje. Papritur u vendos rikthimi i tij në burgun e burrave, pa asnjë arsye,” tha Stathis.

Gazetari bëri të ditur se dy muaj më parë Aliaj kishte mbijetuar një atentati brenda burgut, por pavarësisht rrezikut të qartë, nuk u morën masa shtesë sigurie. “Edhe pse ishte e dukshme se ai do të vritej, u la i pambrojtur, duke ua bërë të lehtë punën autorëve,” u shpreh ai.

Stathis solli gjithashtu në vëmendje një rast të mëparshëm, ku një tjetër i burgosur shqiptar, i akuzuar për nxitjen e vrasjes së avokatit Michalis Zafeiropoulos, u masakrua në burg, me pamje që u përhapën në internet. Sipas tij, pavarësisht se kanë kaluar vite, situata e sigurisë në burgje mbetet e pandryshuar.

“Ka përgjegjësi penale dhe disiplinore. Po mbahen përgjegjës autoritetet? Nëse një vrasje do të ndodhte në një komisariat, do të kishte pasoja të menjëhershme. Tani duket se askush nuk mban përgjegjësi,” theksoi ai.

Si ndodhi ngjarja:

Policia greke dyshon se vrasja e 49-vjeçarit Jani Aliaj në burgun e sigurisë së lartë të Koridhalos është kryer me pagesë. Autori i dyshuar është një 28-vjeçar grek, i konsideruar si vrasës me pagesë, i cili rezulton i përfshirë edhe në një tjetër ekzekutim të bujshëm.

Sipas autoriteteve greke, bëhet fjalë për të njëjtin person që më 18 gusht 2025 ekzekutoi me armë zjarri 47-vjeçarin nga Gjirokastra, Artur Bashimi. Ngjarja ndodhi në zonën Agio Panteleimona në Athinë.

Hetimet po kryhen nga Siguria e Pireut dhe të dhënat paraprake tregojnë se bëhet fjalë për një kontratë vdekjeje. Si viktima, ashtu edhe autori, kanë një të kaluar të rëndë kriminale.