Casemiro njofton largimin nga Manchester United: Përgjithmonë ‘Red Devil’
Casemiro ka konfirmuar zyrtarisht se do të largohet nga Manchester United në fund të këtij sezoni, me përfundimin e kontratës së tij me klubin e “Old Trafford”. Mesfushori brazilian e bëri të ditur vendimin përmes një postimi emocional në rrjetet sociale, ku shprehu respektin dhe dashurinë e tij për klubin dhe tifozët.
“Të dish kur një etapë merr fund. Të dish kur të thuash lamtumirë duke ndier se do të kujtohesh dhe respektohesh përgjithmonë. Katër muaj për të dhënë gjithçka për këtë fanellë dhe për objektivin tonë. Respekt dhe dashuri e përjetshme për Manchester United dhe tifozët e tij të mrekullueshëm. Forever Red Devil”, shkroi Casemiro në Instagram.
Braziliani iu bashkua Manchester United në vitin 2022 nga Real Madrid për shumën prej 71 milionë eurosh, duke u shndërruar në një nga blerjet më të shtrenjta në historinë e klubit. Ai mbërriti në Angli pas një periudhe të jashtëzakonshme shtatëvjeçare te Real Madridi, ku fitoi pesë herë Champions League, çka rriti ndjeshëm pritshmëritë ndaj tij.
Gjatë aventurës me “Djajtë e Kuq”, Casemiro ka regjistruar 146 paraqitje në të gjitha kompeticionet, duke shënuar 21 gola dhe dhënë 13 asistime. Edhe pse ishte një titullar i rregullt, ai nuk arriti gjithmonë të përsëriste nivelin dominues që kishte treguar në Madrid. Megjithatë, ai kontribuoi në fitimin e dy trofeve: Kupës së Ligës në vitin 2023 dhe FA Cup në vitin 2024.
Në moshën 33-vjeçare, Casemiro mbetet ende një pjesë e rëndësishme e skuadrës, duke qenë titullar në shumicën e ndeshjeve të Premier League. Largimi i tij në verë pritet ta detyrojë Manchester United të kërkojë një zëvendësues të gatshëm në merkato, për të mbushur boshllëkun e një lojtari me eksperiencë dhe personalitet të fortë në mesfushë.