'PD, forca më pro-amerikane'/ Zhupa: Rama krijoi një ngjarje artificiale për të shmangur vëmendjen nga GJK

Në një lidhje të drejtpërdrejtë për SYRI TV  pas seancës së vrullshme plenare, deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka sqaruar pozicionin e opozitës lidhur me votimin e fundit në Kuvend për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes, nismë e lidhur me Presidentin amerikan Donald Trump.

Duke folur për Edvin Parrucën në 'Edicionin e lajmeve', Zhupa theksoi se reagimi i demokratëve nuk ishte një reagim kundër Shteteve të Bashkuara, por një qëndrim kundër përdorimit të kësaj marrëveshjeje për propagandë nga kryeministri Edi Rama.

Deputetja demokrate nënvizoi se PD mbetet forca më pro-amerikane në vend, duke përmendur arritje historike si anëtarësimi në NATO dhe vizita e ish-presidentit George W. Bush, por shtoi se procedura e ndjekur sot në Kuvend ishte "ekstra kushtetuese" dhe e paprecedentë.

Zhupa ngriti akuza të forta, duke deklaruar se kjo urgjencë e mazhorancës kishte për qëllim shmangien e vëmendjes nga dy momente kyçe që dëmtonin imazhin e qeverisë.

Së pari, ajo iu referua seancës në Gjykatën Kushtetuese për mandatin e deputetes së zv/kryeministres Belinda Balluku, një çështje që opozita e konsideron të rëndë. Së dyti, Zhupa vuri në dukje se ndërkohë që Rama fliste në Tiranë, në Davos po zhvillohej ceremonia e vërtetë me shtetet themeluese në prani të Presidentit Trump, ku Shqipëria dhe rajoni përfaqësoheshin nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Deputetja ironizoi pretendimet e Ramës për ftesë ekskluzive, duke cituar autorizimin e Presidentit Bajram Begaj si provë që ftesa ishte institucionale dhe jo personale. Ajo gjithashtu sulmoi qeverinë për përfshirjen në listën e vendeve me kufizim vizash nga SHBA, duke e lidhur këtë me korrupsionin dhe keqqeverisjen, ndryshe nga partneriteti strategjik që gëzon shteti shqiptar.

Zhupa:

Po, ne sapo përfunduam një seancë plenare. Besoj që nuk ka asnjë dyshim që partneri jonë më i rëndësishëm strategjik janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk ka asnjë dyshim që të gjitha partitë politike, në fakt parlamentare, Partia Demokratike por edhe Partia Socialiste, nuk e kanë fshehur qasjen pro-atlantike, pro-perëndimore dhe pro-europiane. Partia Demokratike për më tepër ka më shumë arritje gjatë kohës së qeverisjes së vet në bashkëpunim me amerikanët. Kujtojmë këtu disa fakte publike, që fushatën e parë Partia Demokratike në demokraci e ka bërë me në krah ambasadorin e kohës amerikan. Partia Demokratike ka qenë ajo që falë mbështetjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka bërë anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

Ka pasur vizitën e vetme të një presidenti amerikan në vend. Ka pasur pritjen e vetme në Zyrën Ovale të një presidenti shqiptar siç ishte Sali Berisha. Pra, në rekordet e Partisë Demokratike do të gjeni forcën më pro-amerikane në vend dhe nuk ishte asnjë dyshim që ne do të votonim pro marrëveshjes, paqes, presidentit Trump, aq më tepër që është një indikator shumë i rëndësishëm për sigurinë ndërkombëtare dhe për zhvillimet botërore.

Në këtë aspekt, kundërshtimet tona ishin kundërshtime që lidhen me disa fakte. Së pari, me nevojën e çmendur, nëse mund ta quaj, të Edi Ramës për të qenë diku sot në lidhje me Amerikën, teksa ata që ishin vërtet shtetet themeluese dhe miq të presidentit Trump, siç e cilësoi ai vetë, ishin në Davos për ta firmosur aty marrëveshjen në praninë e presidentit. Dhe është një lajm i mirë për kombin shqiptar që ishte përfaqësuar nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për të kuptuar se sa shpejt bie propaganda e Edi Ramës, që së pari tha jam i vetmi lider në Ballkan që jam thirrur – e cila nuk është e vërtetë sepse është dhe zonja Osmani. Së dyti u tha që është një ftesë nominale për Edi Ramën dhe ne sot në Kuvend kemi, dhe mediat e kanë në dispozicion, autorizimin e Bajram Begajt për t'ia dhënë këtë fuqi Edi Ramës.

Pra nuk është një ftesë personale e Edi Ramës, por e shtetit shqiptar dhe ndaj Presidenti bëri atë autorizim që t'i u paraqit edhe sot Kuvendit. Dhe së treti ka të bëjë me faktin që shteti shqiptar ka mbështetjen, ka pasur gjithmonë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe si vend anëtar i NATO-s patjetër që do të ishte në këtë iniciativë. Ndërsa qeveria shqiptare, se ka një ndarje të madhe midis asaj që është shteti, Shqipëria dhe asaj që përfaqëson qeveria shqiptare; qeveria shqiptare e ka marrë verdiktin e vet duke u futur në listën e zezë të vendeve që kanë kufizim vizash.

Dhe atje nuk ishte asnjë vend tjetër anëtar të NATO-s, i vetmi vend anëtar i NATO-s që mori kufizim vizash nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak të qeverisë së lidhur me korrupsionin, me drogën, me keqqeverisjen që i bën qytetarët të shkojnë drejt azilkërkimit, drejt emigracionit të paligjshëm, ishte qeveria shqiptare. Dhe ajo është nota që i japin Shtetet e Bashkuara për qeverinë.

Dhe siç po thoja, ka një diferencë midis asaj që është partneriteti i gjithëkohshëm i SHBA-së me Shqipërinë dhe asaj që është qëndrimi për qeverinë shqiptare që është tashmë në një listë të zezë me vendet e botës së tretë dhe nuk gjen dot një anëtar të NATO-s që të jetë në atë listë. Dhe këto ishin argumentat që ne patjetër dhamë sot. Sigurisht ne kundërshtuam faktin se nuk ndodh në asnjë vend që të vihet në titullin e një projektligji emri i një personi. Qoftë ky person Presidenti, qoftë Kryeministri, cilido, por ata kishin nevojën e etshme për të dhënë mesazhin që do të jetë Edi Rama që do të përfaqësojë Shqipërinë në Bordin e Paqes. Ndoshta për një mesazh për drejtësinë, për të thënë që mos na sulmoni sepse e patë edhe fjalimin e kryeministrit kishte kryesisht fjalën SPAK, kështu që...

Dua t'ju them diçka që ndoshta dhe u keqpërdor në disa media qëllimisht sepse ajo ishte e qartë gjithë veprimi. Partia Demokratike në nisje të seancës votoi kundër faktit që të shkelej kushtetuta dhe të futet me një procedurë ekstra kushtetuese... nuk ishte as e përshpejtuar se nuk ekziston një procedurë që brenda 12 orësh ti të njoftosh seancën, të mblidhen seancat, të mblidhet komisioni, ta votosh. Pra ishte diçka totalisht e sajuar, aq më tepër që aty ka një ngërç, që ti ratifikon një marrëveshje që nuk është firmosur. Pra marrëveshja nuk është firmosur nga palët, nuk është firmosur as nga një përfaqësues i shtetit amerikan, aq më pak Presidenti, as nga një përfaqësues i shtetit shqiptar. Pra realisht nuk është se ka një marrëveshje, ka një ftesë dhe një draft të kartës, këta e sjellin si marrëveshje. Pse i sjell këto në vëmendje të qytetarëve? I sjell për të kuptuar që ata kishin një urgjencë që të krijonin ngjarje ditën e sotme. Dhe ngjarja ditën e sotme lidhej me dy momente të cilat përkonin dhe ishin kundër interesit të mazhorancës.

Momenti i parë, për të hequr vëmendjen nga Gjykata Kushtetuese për të ndarë ato, ju e dini shumë mirë, për të ndarë 'live-in' e televizioneve, për të mos transmetuar Gjykatën Kushtetuese, për të mos pasur vëmendje çështja e zv/kryeministres. Dhe kjo ishte çështja e parë që ata donin të fshinin dhe të ndryshonin vëmendjen. Dhe çështja e dytë ishte fakti që njëkohësisht 'live' ishte Presidenti Trump me shtetet themeluese, me 22 shtete themeluese, në krahë Vjosa Osmanin, teksa e pamë me një shkëmbim edhe shumë miqësor, dhe mosprania atje e Ramës dhe rënia e propagandës që nuk kishte lidhje me atë që kishte thënë duhej sfumuar me faktin që ja ne po e miratojmë dhe jam këtu për ta miratuar në parlament. Të dyja këto ngjarje ndodheshin dhe zhvilloheshin sot dhe kjo e detyroi mazhorancen të shkelte kushtetutën e republikës së Shqiupërisë.