Yildiz shmang komentet mbi të ardhmen: Nuk flas për kontratën, Juventusi është shtëpia ime

E ardhmja e Kenan Yildiz përbën një nga dosjet më të rëndësishme në shtëpinë e Juventusit. Talenti i lindur në vitin 2005 ka kontratë deri në vitin 2029, por interesimi i shtuar nga klubet e huaja ka shtyrë drejtuesit bardhezinj të nisin reflektimet mbi rinovimin dhe përmirësimin e kushteve ekonomike. Megjithatë, vetë lojtari zgjedh të mbajë këmbët fort në tokë dhe të mos hyjë në diskutime jashtë fushës.

Në një intervistë për emisionin turk “TRT Spor”, Yildiz ishte i prerë: “Kontrata? Nuk flas për të. Jam i përqendruar vetëm te fusha dhe te ajo që duhet të bëj këtu. Ndihem shumë mirë te Juventusi dhe kjo është gjëja më e rëndësishme tani. Këtu është shtëpia ime”.

Pas fitores së fundit të bardhezinjve ndaj Benfikës, sulmuesi foli edhe për ambiciet në Champions League: “Champions-i është gjithmonë i veçantë, por duhet përgatitur si çdo ndeshje tjetër, edhe në Serie A. Duhet të japim 100%. Po punojmë dhe stërvitemi shumë mirë, sepse në këtë kompeticion duam të shkojmë deri në fund”.

Yildiz komentoi edhe fjalët e Luciano Spalletti-t, trajner i Juventusit, i cili e ka krahasuar marrëdhënien me të si atë mes babait dhe djalit. “Ka thënë se më do si një bir. Këtu ndihem shumë mirë, kjo është skuadra ime. Me trajnerin kam një raport të veçantë: është një njeri i madh, bën shumë për mua dhe unë përpiqem të jap gjithmonë maksimumin për të dhe për ekipin”, u shpreh ai.

Sa i përket krahasimeve me Lamine Yamal, Yildiz tregohet i matur: “Është një lojtar i jashtëzakonshëm, ndër më të fortët në botë. Nuk më pëlqejnë krahasimet. Mendoj vetëm të përmirësohem çdo ditë dhe të jap më të mirën për Juventusin, klubin, skuadrën dhe tifozët”.