'Rama u lut, ma fut emrin në ligj...'/ Bardhi: Opozita mbështet çdo nismë që synon paqen dhe stabilitetin global

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, akuzoi kryeministrin Edi Rama se po e shfrytëzon një iniciativë të rëndësishme ndërkombëtare dhe marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për interesa personale dhe manovra politike.

Bardhi theksoi se opozita mbështet pa asnjë mëdyshje çdo nismë që synon paqen dhe stabilitetin global, por refuzon mënyrën se si qeveria, sipas tij, po e personalizon këtë proces, duke e kthyer në një “cirk politik” për të mbuluar mungesën e kryeministrit në forume të rëndësishme ndërkombëtare dhe problemet e tij ligjore.

Gazment Bardhi: E kuptoj që bezdiseni nga fjalët në parlament se ju kanë dhënë urdhër, ju a dha në mbledhjen e fundit: 'vini, mos diskutoni, vetëm ngrini kartonat dhe ikni'. Ne nuk jemi për këtë, ne jemi për të informuar qytetarët, për të bërë transparencë për qytetarët dhe për t'i dhënë llogari qytetarëve.

Opozita në Kuvend nuk ka asnjë dilemë për marrëdhënien strategjike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Çdo iniciativë që synon paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar, ka patur dhe do të ketë mbështetjen tonë. Ky është një qëndrim i pandryshueshëm dhe i panegociueshëm. Ndryshe nga Edi Rama, ne nuk i mbajmë marrëdhëniet strategjike peng të manovrave politike dhe halleve personale të kryeministrit. Ne votojmë sot për marrëdhënien e Shqipërisë me aleatin tonë strategjik dhe refuzojmë me neveri mënyrën se si kryeministri e përdor shtetin dhe aleatin tonë strategjik si mburojë politike për interesa personale. Të gjitha këto akrobaci, me këtë urgjencë të stisur dhe krejt të panevojshme, madje deri në kufijtë e të qenurit qesharak, keni një synim të vetëm: të mbuloni mungesën e Edi Ramës sot në Davos, sapo ka dalë edhe njoftimi nga Shtëpia e Bardhë, se kush janë shtetet themeluese të bordit të paqes. Janë 22 shtete, është Kosova për fatin e mirë të kombit shqiptar, mungon Shqipëria për shkak të Edi Ramës.

Sjell një akt të personalizuar duke u bërë qesharak, duke u fshehur pas Elisës... Më thanë e kishe lut dje gjithë ditën: 'Aman ma fut emrin në ligj ta kem aty se nuk i dihet', duke ekspozuar në këtë formë pa dashje nevojën dëshpëruese që ka për t'u dukur i rëndësishëm, ky që ishte zgjedhur personalisht nga Presidenti Trump dhe këtë do t'ia thotë shqiptarëve që duket si i rëndësishëm.

Përtej alibive politike, si urgjenca e panevojshme e kësaj marrëveshjeje sa kohë sot mungojmë në Davos, pyetja që mbetet është kjo: Pse sot kur liderët botërorë diskutojnë për paqen në Davos dhe kur Presidenti Trump mbledh liderët botërorë për bordin e paqes, Edi Rama, lideri juaj i madhërishëm, zgjedh të jetë këtu si avokati i Erion Veliajt, si avokati i Ergys Agasit, si avokati i të korruptuarës Belinda Balluku? Dhe kërkon të bëjë politikë të ulët me një akt që do duhet të ishte thjesht dhe vetëm kombëtar dhe institucional. Ne do të votojmë, siç edhe bëmë, pro marrëveshjes. Po as ne, as titujt patetikë të marrëveshjes së Shqipërisë, vendi i vetëm unik që po ratifikon një marrëveshje me emrin e një njeriu në hall në titullin e tij, nuk e shpëtojnë dot Edi Ramën nga frika e krimeve të tij kundër shqiptarëve dhe kundër interesit të aleatëve tanë strategjikë.

Edi Rama sot po tregon thjesht dhe vetëm se është në një hall të madh, sa kohë përdor një iniciativë globale të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që kërkon pjesëmarrjen e shtetit shqiptar në një organizëm tashmë të themeluar pas nënshkrimit nga 22 vende themeluese për paqen, për të shënuar emrin e tij në të, si kurrkush tjetër në botë. Në fakt e vërteta është që nuk e ka përzgjedhur Presidenti Trump, po e ka përzgjedhur ushtari i tij, Bajram Begaj. Se këta s'dinë as çfarë sjellin as çfarë bëjnë.

Vetëm një hall i madh mund ta detyrojë Edi Ramën të ndërmarrë një cirk të tillë qesharak. Vendosja e Edi Ramës në titullin e ligjit nuk ia heq emrin as nga dosjet e zeza brenda dhe jashtë vendit. Me apo pa emrin në marrëveshje, Edi Rama vazhdon të jetë kryeministri në videot inkriminuese të Ergys Agasit, do vazhdojë të jetë kryeministri që urdhëron tendera të paligjshëm korruptivë të Belinda Ballukut, do të vazhdojë të jetë kryeministri që korruptoi shefin e kundërzbulimit të FBI-së dhe do të vazhdojë të jetë kryeministri që është peng bashkëpunëtor i karteleve të drogës.

Asnjë titull nuk e fsheh dot këtë, me gjithë mirësinë që ka pasur Elisa për ta propozuar dhe për ta përfshirë. Asnjë marrëveshje nuk e fshin atë që Edi Rama i ka bërë interesit të shqiptarëve dhe interesit të partnerit tonë strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe asnjë emër në letër nuk e shpëton këtë kryeministër nga përballja. Dhe meqenëse e do patjetër emrin në titull, Elisa ia bëri nderin me gjasa do ia bëni dhe ju, sepse mendon se do të shpëtojë nga hallet e mëdha, kryeministri mund ta zgjerojë akoma dhe më shumë titullin e projektligjit.