Zyrtare/ Edin Dzeko rikthehet në futbollin gjerman, firmos me Schalke 04

Edin Dzeko është rikthyer zyrtarisht në futbollin gjerman, por kësaj radhe aventura e tij do të vazhdojë në Bundesliga 2. Sulmuesi boshnjak ka nënshkruar kontratë me Schalke 04, duke hapur një kapitull të ri në karrierën e tij pas largimit nga Fiorentina.

Pas gjashtë muajsh te skuadra italiane, Dzeko nuk arriti të ambientohej plotësisht në Firence dhe, me marrëveshje të ndërsjellë, vendosi të mbyllë bashkëpunimin.

Pavarësisht interesimit nga disa klube, 38-vjeçari zgjodhi rikthimin në Gjermani, një kampionat ku ka lënë gjurmë të thella më herët me fanellën e Wolfsburgut.

Schalke 04 e prezantoi Dzekon si përforcimin e ri të merkatos dimërore, ndërsa boshnjaku do të mbajë fanellën me numër 10, një sinjal i qartë i rolit udhëheqës që pritet të ketë në skuadër. Drejtuesit e klubit shpresojnë se përvoja dhe instinkti golashënues i Dzekos do të jenë vendimtare në objektivat e pjesës së dytë të sezonit.

“Që nga momenti kur pati interes, e kam ndjekur Schalken nga afër dhe kam parë disa ndeshje. Bisedat me klubin, me trajnerin Miron Muslic dhe me lojtarë si Nikola Katić ishin shumë pozitive”, u shpreh Dzeko gjatë prezantimit.

Ai theksoi gjithashtu progresin e ekipit: “Është mbresëlënëse të shohësh se si skuadra është zhvilluar këtë sezon pas disa vitesh të vështira. Tani dua të jap gjithçka që të kemi sukses së bashku në gjysmën e dytë të sezonit. Mezi pres ndeshjen time të parë në shtëpi, në një VELTINS-Arena që është gjithmonë e mbushur”.

Rikthimi i Dzekos pritet të sjellë entuziazëm të madh te tifozët e Schalke 04 dhe të rrisë ambiciet e klubit për rikthimin mes elitës së futbollit gjerman.