Bordi i Paqes, Shehu: Rama po rrezikon ftesën e madhe nga SHBA!

Në seancën e sotme parlamentare, diskutimet janë fokusuar te ratifikimi i pjesëmarrjes së Shqipërisë në planin e paqes për Lindjen e Mesme, të propozuar nga ish-Presidenti Donald Trump.

Nga foltorja e Kuvendit, deputeti i opozitës, Tritan Shehu  ka lëshuar akuza të drejtpërdrejta ndaj Kryeministrit dhe mazhorancës, duke i akuzuar ata për heshtje të qëllimshme dhe mungesë mbështetjeje ndaj kësaj nisme gjeopolitike.

Sipas ligjvënësit demokrat, opozita e ka përshëndetur me entuziazëm që në ditën e parë planin Trump për Gazën dhe Lindjen e Mesme, duke e konsideruar atë një sukses. Megjithatë, Shehu theksoi kontrastin me qëndrimin e kreut të qeverisë shqiptare. Në fjalën e tij, ai u shpreh se ky është i vetmi Kryeministër i një vendi të NATO-s që nuk ka thënë asnjë fjalë personale në favor të këtij plani, duke aluduar se kjo heshtje vjen për shkak të ndikimeve të jashtme që kërkojnë të kushtëzojnë politikat në Ballkanin Perëndimor.

Debati u ndez më tej kur u diskutua ftesa që Shqipëria të jetë pjesë e "bordit të gjerë" për realizimin e planit. Opozita akuzoi mazhorancën se po përpiqet ta "zbehë dhe kompromentojë" këtë moment, duke e personifikuar ftesën me një emër të përveçëm, gjë që sipas deputetit nuk është e vërtetë dhe dëmton rëndësinë e seancës.

Në mbyllje të fjalës, u bë një rezyme historike e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, duke i atribuar meritat e anëtarësimit në NATO dhe vizitën e Presidentit Bush, qeverisjes së kaluar nën drejtimin e ish-Kryeministrit Berisha. Deputeti nënvizoi se Shqipëria duhet të ndjekë ngushtësisht hapat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në politikat e sigurisë globale.

Sepse ne kërkojmë të ratifikojmë në parlament atë që kemi përshëndetur prej ditës së parë, që u deklarua fillimin e fazës së dytë të planit të Trump për paqe në Lindjen e Mesme, në Gaza, por që padyshim është me efekte dhe reflektime të mëdha në të gjithë hapësirën e Lindjes së Mesme dhe më shumë se aq.

Ne e përshëndetëm absolutisht në mënyrë entuziaste implementimin e planit Trump, e kemi ndjekur me vëmendje dhe konsiderojmë një sukses pothuajse përmbushjen e fazës së parë të tij dhe fillimin e fazës së dytë.

Ishte ky Kryeministër, i cili realisht nuk ka thënë asnjë fjalë personale në favor të këtij plani të paqes së Presidentit Trump gjatë gjithë kësaj periudhe. Ndërsa u shprehën të gjithë drejtuesit e shteteve kryesore, kryeministra apo presidentë, i vetmi kryeministër anëtar i një vendi të NATO-s dhe një vendi që aspiron të jetë në Bashkimin Europian që nuk u shpreh dhe nuk është shprehur akoma dhe sot.

Dikush mund të më gjejë, po të dojë, një citim me datë dhe me vend, për të përshëndetur këtë plan paqeje. Pse? Sepse realisht nuk e lejonin ata që janë armiqtë e Presidentit Trump, ata që janë ata të cilët kërkojnë të kondicionojnë përsëri politikat botërore dhe veçanërisht hapësirën e Ballkanit Perëndimor.

Fatmirësisht ky plan eci përpara dhe sot jemi në një ditë të rëndësishme. Shqipëria kërkohet të jetë pjesë e bordit të gjerë, e theksoj, e bordit të gjerë, jo e komisionit ekzekutiv, e bordit të gjerë të realizimit të këtij plani. Gjë kjo që duhet përshëndetur. Unë po e them, se na takon ne në radhë të parë, që e përshëndetëm që në fillim këtë plan, ta votojmë dhe do ta votojmë këtë ftesë për Shqipërinë për të qenë pjesë e këtij bordi, sepse kjo ftesë është për Shqipërinë.

Fatkeqësisht kjo mazhorancë edhe sot po e zbeh këtë ftesë, po e kompromenton këtë ftesë, duke kërkuar ta personifikojë, duke kërkuar ta konkretizojë, ta bashkojë me një emër. Gjë që nuk është e vërtetë. Nuk është absolutisht e vërtetë, nuk është e drejtë dhe në këtë mënyrë vetëm se vlerësohet edhe kjo seancë e sotme që po bëjmë në këtë parlament.

Futja, dhënia e kësaj ftese, kërkimi që Shqipëria të jetë, është pjesë e një numri shumë të madh ftesash që janë bërë në botë sot për të qenë pjesë e këtij bordi të gjerë. Por pavarësisht nga kjo, kjo lidhet padyshim dhe me atë që Shqipëria ka realizuar që nga viti 1992, me atë vizion të qartë pro-perëndimor, pro-amerikan, që ne kemi treguar që nga viti '92 dhe në vazhdim. Me atë që Shqipëria me Kryeministër Berishën arriti të bëhet anëtare e NATO-s, deklaratë edhe që e bëri këtu në Shqipëri, në Tiranë, Presidenti Bush, kur krahas asaj deklaroi dhe pavarësinë e Kosovës dhe njohjen zyrtare të Kosovës, pra pavarësinë e saj.

Pra kemi të bëjmë me një vazhdë të gjatë të qëndrimit të vendit tonë, të pozicionimit të qartë të vendit tonë. Jemi ne ata të parët që kemi thënë dhe themi dhe ngulim këmbë, që Shqipëria në politikat e sigurisë globale duhet të ndjekë ngushtësisht hap pas hapi Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Jemi ne ata të cilët kemi votuar edhe ndonjëherë me një kosto politike, siç ka bërë Berisha në 2012-ën në Këshillin e Sigurimit.