‘I ngatërron me McGonigal që e korruptoi vetë’/ Zhupa: Rama anatemoi kongresmenët e ShBA se janë blerë…

Deputetja e PD-së, Ina Zhupa, gjatë fjalës së saj në Kuvend tha se kryeministri Edi Rama ka bërë një deklaratë të papranueshme dhe të pahijshme ndaj Kongresit Amerikan, duke i akuzuar kongresmenët e Shteteve të Bashkuara se janë "blerë".

Ajo e cilësoi këtë veprim të tnumrit një të qeverisë si një krahasim të rrezikshëm dhe të paarsyeshëm, duke nxjerrë paralel me rastin e McGonigal, një ish-agjent të FBI-së që kishte lidhje të dyshimta me Ramën.

Zhupa theksoi se, ndërkohë që Rama akuzon dhe shënjestron politikanët amerikanë, ai po përpiqet të fshehë lidhjet e tij me individë të korruptuar, të cilët kanë pasur një ndikim të dëmshëm mbi imazhin dhe politikën e Shqipërisë.

Sipas saj, kjo është një mënyrë e papranueshme për të përbaltur një institucion të shenjtë si Kongresi Amerikan dhe për të minuar marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë, duke e përdorur këtë si një shpërqendrim nga dështimet e rënda të qeverisë shqiptare në fushat më kritike, si energjia dhe siguria e qytetarëve.

Deklarata e plotë:

"Nuk i gjejnë dot gazetarët dhe t'i kërkojnë as në Gaza. Edhe në vendet që ka luftë, spitalet kanë energji elektrike. Edhe në vendet që ka luftë, të sëmurët nuk preken. Kurse në Shqipëri rrezikohet jeta.

Pse? Nga papërgjegjshmëria e një qeverie që jo vetëm nuk i garanton dot në mënyrë të vazhdueshme furnizimin me energji elektrike, por është aq e paaftë sa të krijojë dhe ato gjeneratorët që funksiononin atje.

Dhe kjo qeverisje vjen dhe na flet këtu për standarde, për faktorë të rëndësishëm, për shembull për t'u marrë, ndërkohë që ka degraduar në çdo qelizë të qeverisjes së saj, në atë që duhet t'i ofrojë qytetarëve shqiptarë.

Në çdo vend tjetër, sado pak demokratik, do të kishte dhënë dorëheqjen në sekondë, drejtoresha e ministrja e Shëndetësisë e me radhë, të gjithë zinxhiri që dështuan për të garantuar shëndetin dhe jetën e qytetarëve. Dhe këtu, të flitet pastaj që ne jemi një vend me arritje të mëdha, është hipokrizia më e madhe. Anatemoj kongresmenët amerikanë kryeministri.

Duke i thënë se i paska futur në xhep Chris LaCivita. Anatemoj se mund të blihen kongresmenët amerikanë, a thua se kongresmenët amerikanë janë Charles McGonigal që e korruptonte kryeministri i Shqipërisë, duke mos njohur as rëndësinë e atij institucioni dhe as integritetin e Kongresit Amerikan.

Kongresi Amerikan dhe kongresmenët amerikanë janë politikanë që janë votuar atje për shkak të integritetit që përfaqësojnë dhe nuk janë si këta qeveritarët që kemi ne këtu që vijnë për shkak të krimit.

Kështu që kur flet Kongresi Amerikan, nuk mund të dali një politikan shqiptar dhe t'i thotë që ju jeni korruptuar, ju ju ka futur në xhep X-i apo Y-ni, duke shkaktuar kështu edhe një sjellje jo korrekte diplomatike për atë që përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kongresi Amerikan.

Strategjia anti-karteleve të drogës e presidentit Trump nuk është shpikje e opozitës.  Nuk është strategjia jonë e çuar nëpërmjet Chris LaCivita te Presidenti Trump. Por është strategjia e tij dhe vizioni i tij për të ndalur narkotrafikun si një rrezik i sigurisë.

Dhe një vend anëtar i NATO-s, një vend kandidat për Bashkimin Europian, nuk mund të jetë edhe një vend njëkohësisht që hap dhe lehtëson rrugët e trafikut ndërkombëtar të drogës, pastrimit të parave dhe cënon sigurinë kombëtare, rajonale dhe europiane.

Dhe ndaj frika e sotme dhe ndaj fjalimi i sotëm me përmendjen 45 herë të SPAK-ut, sepse drejtësia, e cila është investim amerikan, do ta gjejë rrugën e vet herët ose vonë".