Von der Leyen i mbijeton mocionit të dorëheqjes mbi marrëveshjen tregtare Mercosur

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i mbijetoi të enjten një votë mosbesimi të mbështetur nga partitë e ekstremit të djathtë në Parlamentin Evropian mbi marrëveshjen tregtare me Mercosur.

Mocioni - i cili kërkonte dy të tretat e votave të hedhura për t’u miratuar - u refuzua me shumicë të qartë, me 390 ligjvënës që votuan kundër, 165 pro dhe 10 abstenime.

Votimi u iniciua nga disa grupe të krahut të djathtë në Parlamentin Europian, përfshirë grupet e ekstremit të djathtë Patriotët për Europën dhe Europa e Kombeve Sovrane, si dhe Konservatorët dhe Reformistët Europianë më të moderuar.

Mocioni i mosbesimit synonte ta detyronte komisionin të jepte dorëheqjen për shkak të nënshkrimit të së shtunës të marrëveshjes së tregtisë së lirë me bllokun tregtar të Amerikës së Jugut, Mercosur, i cili përfshin Brazilin, Argjentinën, Uruguain dhe Paraguain.

Ligjvënësit akuzuan komisionin se po injoronte kundërshtimin e parlamenteve kombëtare, Parlamentit Evropian dhe fermerëve evropianë.

Të mërkurën, Parlamenti Europian votoi për t’i referuar marrëveshjet Gjykatës Europiane të Drejtësisë për një shqyrtim ligjor.

Komisioneri i Tregtisë i BE-së, Maros Sefcovic, e mbrojti paktin të hënën gjatë një debati të lidhur me mocionin e mosbesimit.

Është “një marrëveshje e mirë për Evropën”, tha Sefcovic. “Ne ndërtojmë partneritete të besueshme”, shtoi ai, duke theksuar rëndësinë strategjike të paktit.

Mocioni i mosbesimit ishte i katërti me të cilin u përball Von der Leyen që nga fillimi i mandatit të saj të dytë në fund të vitit 2024./ DPA News.