Banorët e lagjes 'Ferme' në Cerrik: Mungesa e investimeve në infrastrukturën rrugore po na rrezikon jetën
Banorët e lagjes Ferme në Bashkinë Cerrik janë të shqetësuar për mungesën e investimeve në infrastrukturën rrugore, një problem që ka zgjatur prej shumë kohësh. Ata shprehen se kanë humbur shpresën për një zgjidhje të shpejtë, pasi rruga vazhdon të hapet herë pas here vetëm për shkak të problemeve me tubat e ujësjellësit dhe kanalizimet.
Për banorët e zonës, kjo situatë është bërë e padurueshme. Ata thonë se janë të detyruar të investojnë vetë për të përmirësuar gjendjen e rrugës, duke shtuar zhavor dhe inerte, por kjo nuk është një zgjidhje afatgjatë dhe është e pamundur të mbulohet për një periudhë të gjatë pa mbështetje nga autoritetet.
Pasojat e kësaj mungese investimesh rëndojnë gjithnjë e më shumë ekonominë e tyre.
Një tjetër shqetësim është rreziku i rënies dhe aksidenteve që vjen si pasojë e gropave të thella në rrugë, të cilat mbushen me ujë gjatë periudhave të reshjeve, duke e bërë kalimin të rrezikshëm për këmbësorët dhe automjetet.
Banorët thonë se automjetet që kalojnë shpesh shkatërrohen për shkak të amortizimit të shpejtë të pjesëve mekanike, por nuk ka asnjë ndërhyrje nga institucionet për të zgjidhur këtë problem.
Lagja Ferme është një nga lagjet më të mëdha dhe më të banuara të Bashkisë Cerrik, dhe banorët kërkojnë me urgjencë një ndërhyrje të menjëhershme nga pushteti lokal për të adresuar problemet me rrugën.
Ata shpresojnë që kjo situatë të marrë fund dhe që të investohet në zhvillimin e infrastrukturës, duke i dhënë fund vështirësive që po përjetojnë për çdo ditë.