Bordi i Paqes/ Gazetari: Kuvendi ynë do të ratifikojë aderimin në një Kartë që zyrtarisht nuk është krijuar ende!
Nga Isa Myzyraj/
Ajo që pritet të ndodhë në Kuvend nuk është thjesht një manovër proceduriale, por një shtrembërim i hapur i Rregullores dhe i vetë kuptimit të procesit ligjvënës. Sipas dokumenteve zyrtare, seanca plenare do të mblidhet në orën 10:00 jo për të shqyrtuar projektligjin, por për të miratuar propozimin që ai të kalojë me procedurë të përshpejtuar. Në orën 11:00, pra pasi Kuvendi të ketë “vendosur”, do të mblidhet komisioni përgjegjës, dhe në orën 12:00 seanca do të rikthehet për ta votuar projektligjin në tërësi.
Fillimisht në projektligj përmendet në titull emri nominal i “Edi Ramës”
Cfare ndodh nëse Rama nuk është pas 1 viti Kryeministër?
Nga ana proceduriale, kjo skemë bie ndesh drejtpërdrejt me Rregulloren e Kuvendit. Procedura e përshpejtuar, e parashikuar në nenin 28 të Rregullores, nuk është një votë paraprake që merret në ajër, por një mënyrë shqyrtimi që zbatohet mbi një projektligj tashmë të futur në procedurë normale, pas shpërndarjes së tij dhe nisjes së shqyrtimit në komision. Ajo nuk mund të miratohet pa ekzistuar më parë një proces minimal parlamentar dhe nuk mund të përdoret për të përmbysur rendin logjik të shqyrtimit.
Akoma më problematik është fakti se komisioni përgjegjës mblidhet pas vendimit të seancës plenare. Neni 73 dhe vijues të Rregullores janë të qarta: komisionet janë organet ku zhvillohet shqyrtimi substancial i projektligjit dhe raporti i tyre i paraprin seancës plenare.
Komisioni nuk është dekor, as formalitet që plotësohet mes dy seancash, por faza thelbësore e procesit ligjvënës.
Këtu shkelet edhe neni 83 i Rregullores, i cili kërkon shqyrtim nen për nen të projektligjeve që krijojnë angazhime shtetërore, mbi bazën e raportit të komisionit përgjegjës. Nuk mund të ketë shqyrtim nen për nen në seancë, kur komisioni mblidhet një orë më parë dhe raporti i tij është i pamundur të jetë i plotë, i arsyetuar dhe i aksesueshëm për deputetët.
Edhe më tej, vetë ideja që Kuvendi në orën 10:00 e ne oren 11:00 komisioni, bie ndesh me nenin 30 të Rregullores, që garanton kohë të mjaftueshme për njohjen me dokumentacionin parlamentar. Deputetët nuk mund të votojnë për mënyrën e shqyrtimit të një projektligji, pa pasur mundësi reale ta shqyrtojnë atë vetë.
Kjo që po ndodh nuk është procedurë e përshpejtuar në kuptimin e Rregullores; është një procedurë e përmbysur. Seanca vendos fillimisht, komisioni vjen më pas dhe Kuvendi vulos në fund një vendim të marrë paraprakisht. Një proces i tillë cenon rolin kushtetues, shndërron Kuvendin në organ ratifikues mekanik dhe krijon një precedent të rrezikshëm për çdo ligj të ardhshëm.
Vetë Kushtetuta sipas nenit 83 pika 2 thotë shprehimisht se: Kuvendi mund të shqyrtojë një projektligj me procedurë të përshpejtuar, POR JO më parë se një javë!
Në këto kushte, çdo ligj i miratuar me këtë skemë mbetet i cenuar rëndë nga pikëpamja proceduriale dhe plotësisht i ekspozuar ndaj rrëzimit në Gjykatën Kushtetuese. Procedura e përshpejtuar nuk është licencë për të anashkaluar Rregulloren. Dhe Kuvendi nuk mund të funksionojë me orare që i shërbejnë nxitimit politik, duke sakrifikuar ligjshmërinë parlamentare.
Lëre pastaj që Kuvendi ynë do të ratifikojë aderimin në një Kartë që zyrtarisht nuk është krijuar ende!
Tallje me Republikën!