Propaganda/ Tabaku: Instituti i Vjenës parashikon 100 vjet për t'u bërë si BE ndërsa qeveria feston me shampanjë…
Ndërsa qeveria shqiptare vazhdon të mbajë gjallë retorikën e anëtarësimit të shpejtë në Bashkimin Europian, realiteti i shifrave dhe analizave ndërkombëtare tregon një panoramë krejtësisht tjetër, shumë më të zymtë. Gjatë një interviste në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në Syri tv, deputetja Jorida Tabaku ka hedhur poshtë propagandën 13-vjeçare të qeverisë, duke e cilësuar situatën si një anije në mes të dallgëve që nuk po gjen breg.
Pavarësisht festimeve me shampanjë dhe ndarjes së medaljeve për sukseset imagjinare, të dhënat tregojnë se Shqipëria është ende shumë larg standardeve europiane. Tabaku, gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri, solli në vëmendje një raport tronditës të Institutit të Vjenës, sipas të cilit, me ritmet aktuale, Shqipërisë do t'i duhen plot 100 vite për të arritur standardet e mjedisit të kërkuara nga BE. Kjo shifër vjen në kontrast të thellë me pretendimet e qeverisë, e cila premton mbylljen e këtyre kapitujve brenda 15 viteve.
Sipas diskutimit në studio, problemet nuk janë vetëm politike, por prekin thelbin e jetës së përditshme të qytetarëve: siguria ushqimore, infrastruktura, ujësjellës-kanalizimet dhe kriteret ekonomike. Për të arritur nivelin minimal në infrastrukturë, vendit i duhen investime kolosale prej 8 deri në 10 miliardë euro, një shumë e barabartë me buxhetin e shtetit për një vit të tërë.
Kritika më e fortë ishte te metoda e qeverisë për të miratuar ligje "shpejt e shpejt" vetëm për të thënë se u krye detyra në letër. U përmend rasti i ligjit për të dhënat personale, i cili ndonëse është miratuar në letër, në praktikë dështoi të mbronte qytetarët, siç u pa qartë gjatë zgjedhjeve të fundit. Mesazhi është i qartë: Europa nuk kërkon më thjesht ligje të përkthyera që mund t'i miratojë çdo regjim, por zbatim real dhe ndryshim ekonomik të prekshëm për qytetarët, fusha ku Shqipëria fatkeqësisht renditet e fundit në rajon.
Flavio Qarri:Dduket se Edi Rama ka gjetur shumë trafik në rrugën e tij drejt BE-së apo nuk u nis fare për atje?
Jorida Tabaku: Është si ajo anija në mes të dallgëve që duket se nuk po del akoma, pavarësisht se kanë 12 vite që luftojnë. Shiko, kjo është një çështje që ndoshta për njerëzit, për qytetarët është pak e prekshme. Sepse u bë 13 vite me të njëjtat retorika, me të njëjtën propagandë, të njëjtat premtime...
Flavio Qarri: Në zgjedhjet e fundit na dhashë dhe data.
Jorida Tabaku: U dhanë pashaportat, u dhanë vulat...
Flavio Qarri: Shampanjë kemi pirë sa herë.
Jorida Tabaku: Sa çmime kanë marrë ambasadorët se u futëm në BE. Tani, përveç kësaj, për të folur edhe pak konkretisht edhe për qytetarët. Fatkeqësia më e madhe që po ndodh në këtë moment është që qeveria shqiptare po e kupton që nuk ka kohë. Që shumë gjëra duheshin bërë në këto 12 vite. Dhe unë nuk po merrem fare me kriteret politike, sepse ne e dimë si janë kriteret politike. Grup-kapitulli i parë: zgjedhjet, si është balanca e pushteteve, si është roli i parlamentit, gjykata kushtetuese, çështja e pronave. Janë të gjitha çështje politike këto që po flas unë. Ndërkohë që po merrem edhe me çështje teknike që ndoshta mund të prekin qytetarët. Dhe këtu përmend për shembull siguria ushqimore. Një çështje tjetër është infrastruktura, është ujësjellës-kanalizimet, është mjedisi...
Janë kriteret ekonomike. Tani qeveria shqiptare, në vetë kërkesat që i ka dorëzuar Brukselit...
Flavio Qarri: Të numëruara kështu më falni, të numëruara kështu, aty ndoshta e kuptojmë se sa larg jemi nëse asnjë nga këto sektorë nuk po shkëlqen sot.
Jorida Tabaku: Të numëruara kështu, ta them unë sa ka kërkuar qeveria shqiptare dhe si është realiteti. Janë 15 fusha që qeveria shqiptare ka kërkuar një periudhë të ndërmjetme quajnë ato. Që do të thotë që edhe në momentin që t'i bëhesh vend anëtar, nuk i ke plotësuar kriteret. Sepse kërkon, jo vetëm investime financiare. Investime financiare janë sigurisht minimumi. Për shembull për infrastrukturën duhet buxheti i një viti, duhen mbi 8 deri në 10 miliardë euro, për të kryer të gjithë detyrimin minimal për infrastrukturën, për të lidhur rrjetin. E njëjta gjë është për ujësjellës-kanalizimet. Për mjedisin, Instituti i Vjenës thotë që duhen 100 vite. Duhen 100 vite thotë Instituti i Vjenës. Qeveria shqiptare thotë që unë do ta plotësoj për 15 vjet. Për kriteret ekonomike qeveria shqiptare thotë që duhet një dekadë. Që do të thotë që një pension i një shqiptari këtu të barazohet me pensionin e një europiani, që ndihma sociale këtu të barazohet me atë të një europiani, qeveria shqiptare mendon që i duhen 10 vite. Po tani këto 12 vite çfarë bënë? Ne duhet të kemi parasysh që sot Shqipëria është e fundit në rajon për këto tregues. Është e fundit pavarësisht se ne themi që është në grupin e parë Shqipëria dhe Mali i Zi, është sepse së pari procesi i integrimit një mbështetje të të gjitha forcave politike dhe ky është një aset për Shqipërinë. Edhe opozita e mbështet. Se ti ke parasysh që në vendet e tjera këtë proces nuk e mbështesin të gjitha partitë politike.
Në rastin e Shqipërisë, qytetarët e mbështesin mbi 90%. Ndërkohë që në Serbi ti e ke 28%. Pra ka shumë faktorë që ndikojnë në këtë. Dhe në qoftë se qeveria shqiptare do ta kishte marrë seriozisht këtë proces, do kishte punuar çdo ditë që këto tregues ekonomikë që ne po bisedojmë sot dhe që flasim, që i kemi thënë sepse këto janë çështje të përditshmërisë së shqiptarëve, nuk po flasim për gjëra të cilat janë një luks, si mjedisi për shembull, se mjedisin unë e konsideroj luks. Po flasim për çështje kritere bazë, të cilat duhet të ishte punuar çdo ditë. Tani këto kujtohen dhe thonë për dy vite ne do t'i plotësojmë të gjitha. Për dy vite, në letër ligjet edhe mund t'i miratojnë. I miratojnë kështu siç po bëjnë.
Flavio Qarri: Me shumicë.
Jorida Tabaku: Shpejt e shpejt, pa konsultim, pa debat...
Flavio Qarri: Vetëm përkthim.
Jorida Tabaku: Ke frikë të thuash për shembull që ky ligji ka një problem, ti je kundër integrimit. Po hajde ta diskutojmë. Për shembull dje po diskutoja me të gjitha organizatat e shoqërisë civile për dy ligje, për ligjin e sponsorizimeve për shembull. Po më thonin që po i miratojmë në letër dhe janë të pazbatueshme në praktikë. Miratuam ligjin e të dhënave personale. A kemi ne sigurinë më të madhe të mbrojtjes së të dhënave personale? Ja ku i kishim zgjedhjet, çfarë ndodhi? Pra po miratojmë ligje në letër, por ne na duhen ndryshime reale për qytetarët dhe ndryshimi real fillon me ekonominë…
Flavio Qarri: A i mjafton Europës që të jenë të përkthyera, të miratuara këto ligje apo duhet të jenë treguesit në terren?
Jorida Tabaku: Unë besoj që Europa ka qenë e qartë për këtë. Sot nuk ka nevojë më që të miratohen vetëm ligje. Ligjet i bën kushdo. Ligjet mund t'i miratojë edhe një republikë... Burundi. Rusia mund të miratojë ligje shumë të mira europiane.