Zyrtare/ Për pak humbi jetën në fushë te Fiorentina, firmos me Watford-in

Edoardo Bove është gati të nisë një kapitull të ri në karrierën e tij. Vetëm pak ditë pas ndërprerjes konsensuale të kontratës me Romën, mesfushori italian ka gjetur menjëherë ekipin e ri dhe do të rikthehet të luajë në Angli, konkretisht me Watford-in, skuadër që militon në Championship.

Klubi anglez ka zyrtarizuar afrimin e 23-vjeçarit përmes një komunikate, duke bërë të ditur se Bove ka firmosur një kontratë pesëvjeçare e gjysmë dhe do të jetë pjesë e projektit ambicioz të skuadrës që synon rikthimin në Premier League.

“Jemi shumë të lumtur që Edoardo ka zgjedhur Watford-in mes shumë opsioneve që kishte”, u shpreh Valon Behrami, asistent i drejtorit sportiv. “Kjo tregon raportin që kemi ndërtuar me të, reputacionin e klubit dhe ambicien e pronarit. Bove është një talent i provuar dhe do të na ndihmojë të luftojmë për objektivin tonë kryesor: ngjitjen në Premier League.”

Edhe vetë futbollisti shprehu entuziazmin për këtë aventurë të re: “Dua të falënderoj gjithë familjen e Watford-it për pritjen e ngrohtë. Që nga dita e parë më janë ofruar kushtet më të mira për të bërë këtë hap të rëndësishëm në karrierën time. Kisha shumë dëshirë të rikthehesha në fushë dhe ta bëja këtë me një klub historik si Watfordi është një krenari e madhe për mua.”

Bove pritet të nisë menjëherë stërvitjen me skuadrën e re dhe të jetë në dispozicion të trajnerit në javët e ardhshme, me synimin për të dhënë kontributin e tij në garën e ashpër të Championship-it.

Edoardo Bove pati një episod serioz shëndetësor gjatë një ndeshjeje të Serisë A (Fiorentina – Inter), kur u rrëzua papritur në fushë dhe loja u ndërpre menjëherë. Mesfushori u largua me barelë dhe iu nënshtrua kontrolleve të menjëhershme mjekësore.

Më pas doli në pah se bëhej fjalë për një problem të rëndë fizik (me natyrë kardiake), çka e detyroi futbollistin të ndalonte përkohësisht aktivitetin dhe të ndiqte një proces të gjatë kontrollesh dhe rehabilitimi. Pikërisht për arsye shëndetësore u arrit edhe ndërprerja konsensuale e kontratës me Romën, pasi Itali nuk lejohet të luash me defribilator, ndërsa në Angli po.