Arabia Saudite, shpallje e pazakontë pune në internet: Na duhet një mesfushor, paga shkon deri në 1 milion euro
Futbolli saudit vazhdon të befasojë jo vetëm me transferimet e bujshme, por edhe me mënyrën se si po kërkon lojtarë të rinj. Pas mbërritjes së Cristiano Ronaldos te Al-Nassr, Arabia Saudite është kthyer në një destinacion jashtëzakonisht tërheqës për futbollistë të nivelit të lartë, falë pagave që shpesh tejkalojnë mundësitë e klubeve europiane.
Së fundmi, vëmendjen e mediave e ka marrë një shpallje e pazakontë pune, e publikuar në portalin spanjoll “Futboljobs”, i specializuar në oferta dhe mundësi pune në botën e futbollit. Platforma zakonisht përdoret për trajnerë, përgatitës atletikë apo lojtarë të kategorive të ulëta, por këtë herë kërkesa vjen drejtpërdrejt nga Saudi Pro League, kampionati elitar arab ku aktivizohen emra si Retegui, Theo Hernandez, Koulibaly, Mané dhe Joao Felix.
Njoftimi është i qartë dhe i strukturuar:
“Kërkohet një mesfushor defensiv”. Mes kushteve kryesore përfshihen eksperienca në kampionate të një niveli të ngjashëm ose më të lartë se ai saudit, mundësia për të verifikuar CV-në sportive ose profilin në Transfermarkt, si dhe video me ‘highlights’-e të fundit.
Një tjetër kërkesë specifike është që lojtari të jetë i lirë nga kontrata, ose që agjenti i tij të ketë në kontroll 100% kartonin.
Pika më tërheqëse mbetet, pa dyshim, aspekti financiar: për transferimin në Saudi Pro League ofrohet një pagë vjetore nga 600 mijë deri në 1 milion euro. Një shifër që e bën ofertën joshëse edhe për futbollistë me përvojë në nivele të larta.