VIDEO/ Berisha: Partia Demokratike, forca e idealeve që ringrihet gjithmonë për lirinë dhe Shqipërinë
Në ‘Foltoren’ me demokratët e Degës 2 të Partisë Demokratike, kryetari i PD-së, Sali Berisha, mbajti një fjalim të ngarkuar me mesazhe historike dhe politike, duke rikthyer në vëmendje rrugëtimin 35-vjeçar të Partisë Demokratike si forcë e idealeve të lirisë, demokracisë dhe interesit kombëtar.
Në fjalën e tij, ai theksoi sakrificat e demokratëve ndër vite, misionin themelor të PD-së në përmbysjen e diktaturës dhe ndërtimin e shtetit demokratik, si dhe rolin e pazëvendësueshëm të kësaj force politike në mbrojtjen e çështjes kombëtare shqiptare, të cilën e cilësoi si ‘Yllin Polar’ që ka udhëhequr çdo vendimmarrje të saj.
Pjesë nga fjala e kreut të PD, Sali Berisha:
Mirëmbrëma dhe një përshëndetje të përzemërt, një mirënjohje të pakufishme ndaj jush, demokrateve e demokratëve të lagjes 2.
Të gjithë demokratëve e demokratëve të Tiranës, qytetareve e qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë.
Të dashur drejtues, të degës së Partisë Demokratike numër 2, Jorida, zonja kryetare, Belind, Enri, Mimoza, të gjithë sa jeni këtu. Është kënaqësi e veçantë të takohem me ju dhe takohem me ju me shpresë dhe besim të plotë. Sepse, në 35 vite, kur ndalim dhe vështrojmë pas, ne vijmë këtu si njerëz të idealeve.
Si njerëz që sakrifikuam për idealet më të larta, më fisnike të njeriut. Për lirinë e individit, për votën e lirë, për iniciativën e lirë, për atdhedashurinë, për Shqipërinë. Sakrifikuam për familjen. Pra, ne jemi njerëz të cilët jemi udhëhequr dhe kemi mbrojtur të vërtetat më të mëdha të një shoqërie, të vërtetat më të mëdha të një individi.
Ky është realiteti, kjo ka qenë përcaktuese në mbijetesën tonë. Ne u krijuam në një terren më armiqësorin që mund të ishte. Në një terren që opozita ishte një mallkim. Por ne ia dolëm. Ia dolëm jashtë çdo parashikimi.
Që në atë terren, në vendin e diktaturës më ekstreme, hiperkolektivizmit më ekstrem, të ndërtojmë rendin demokratik, institucionet e shtetit demokratik, ekonominë e tregut. Dhe ajo që është shumë e veçantë në këtë arritjen tonë: ne ia dolëm në një kohë kur, në agun e këtyre ndryshimeve, ne pothuaj nuk dinim asgjë për to. Por ne mësuam.
Ne të vendosur të kthejmë në jetë idealet tona, ne arritëm në katër vite një transformim epokal të Shqipërisë. Me idealet tona, ne ndamë epoka. Përmbysëm epoka, sisteme. Dhe mbi të gjitha, ne çështjen kombëtare shqiptare, një çështje e tradhtuar në mënyrë më antishqiptare, një çështje që përbënte një nga padrejtësitë më të mëdha historike të Europës, ne guxuam.
Javën e parë, ne u thamë shqiptarëve dhe botës, se për ne, çështja kombëtare do të jetë Ylli ynë Polar. Në rast se ne nuk do thonim, nuk do shpallnim këtë, ne nuk duhet të ekzistonim, nuk meritonim të ekzistonim. Pra, që në themelim, ne morëm përsipër mision, misione të mëdha. Dhe e vërteta është që ka qenë misioni ynë. Ka qenë misioni ynë për Shqipërinë, ka qenë misioni ynë për lirinë.
Ajo bën që sa herë menduan që ne u zhdukëm, të ngrihemi si feniksi nga hiri. Ajo që bën që ne të transformojmë në mënyrë epokale Shqipërinë.
Miq, ne u përmbajtëm këtyre të vërtetave, nuk i lëshuam ato. Të shpallje ti në vitet '90 se çështja kombëtare është Ylli ynë Polar, në një kohë kur fqinjët tanë kishin kthetrat të gjithë në çështjen shqiptare, automatikisht shpallje një armiqësi me të gjithë ata që i kishin kthetrat në këtë çështje.
Po ne do ta bënim atë. Sepse në qoftë se, thashë edhe njëherë, ne do përfaqësonim interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Pra, këto të vërteta që mbrojtëm, ky mision, u shndërrua dhe në forcën jetike të Partisë Demokratike.