Bordi i Paqes/ Ilda Zhulali: Rama po nxiton për ta kthyer në ligj 'marrëveshjen' përpara vetë SHBA-së
Maxhoranca i kërkoi kryetarit të kuvendit, Niko Peleshi, të thërrasë nesër seancë për të ratifikuar në mënyrë të përshpejtuar marrëveshjen për aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën.
Kjo lëvizje vjen në vazhdën e letrës së dërguar nga Donald Trump, por ajo që ngre pikëpyetje të mëdha është nxitimi i qeverisë shqiptare për ta kthyer këtë në ligj përpara se vetë Shtetet e Bashkuara ta kenë ratifikuar.
Ilda Zhulali, eksperte e Çështjeve Ndërkombëtare e ftuar në studion e ‘Task Forcë’ në Syri TV thotë se PD nuk është njohur ende me dokumentin dhe e quan ‘dirigjim me komandë të kryeministrit”
"Partia Demokratike nuk ka asnjë njoftim as për zhvillimin e nesërm të seancës, as nuk është njohur me dokumentin që do duhet të miratohet, të paktën në parim. Rama i bën de facto gjithë ngjarjet dhe kam përshtypjen që as vetë deputetët e Partisë Socialiste nuk e kanë të qartë dhe do e njohin përmes medias, sepse kjo është thjesht një dirigjim me komandë nga Kryeministria."
Por çfarë është në vetvete kjo marrëveshje
Ilda Zhulali: Me letrën që Donald Trump dërgoi, e bënte të qartë dhe thoshte që bashkëlidhur ju do të gjeni dhe kartën e Bordit të Paqes, që përmban parimet themelore të kësaj organizate të re ndërkombëtare, e cila do të duhet që të miratohet nga qeveritë dhe parlamentet e gjithë vendeve që dëshirojnë të bëhen pjesë e kësaj organizate. Dhe po ashtu qeveria shqiptare, pas miratimit të këtij dokumenti, do të duhet të përcaktojë dhe një përfaqësuesin e vet zyrtar që do të atashohet si i ngarkuar për të ndjekur punimet e këtij bordi sa herë që ai të mblidhet. Këto janë dy hapa zyrtarë që duhet të marrë Republika e Shqipërisë dhe çdo vend tjetër që dëshiron t'i bashkëngjitet këtij bordi.
Dokumenti, i cili mban firmën e Peleshit, kërkon ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë në këtë organizatë të re ndërkombëtare, e përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama. Kjo lëvizje vjen në vazhdën e letrës së dërguar nga Donald Trump, por ajo që ngre pikëpyetje të mëdha është nxitimi i qeverisë shqiptare për ta kthyer këtë në ligj përpara se vetë Shtetet e Bashkuara ta kenë ratifikuar.
Mësohet se Trump do ta prezantojë nesër në Davos.
"Me këtë lloj procedure Edi Rama ja kalon dhe vetë Amerikës, se as Amerika nuk e ka miratuar dhe nuk e ka ende në fuqi Bordin e Paqes. Eshtë një shpejtësi marramendëse sepse kjo është në procesin e diskutimit. Pra as vetë Amerika që është vendi propozues, vetë Donald Trump, nuk ka marrë asnjë hap tjetër për ta miratuar për të qenë një akt në fuqi, pra një ligj, siç po bën kryeministri shqiptar që është i pakuptueshëm dhe krejt jashtë logjikës sepse ka një debat shumë të madh mbi atë çfarë përmban karta.
Sepse shumë vende e kanë kontestuar gjuhën e saj, angazhimet që parashikon, formatin që prezantohet aty. Deri tek në të gjithë diskutimet që janë bërë flitet që ka mundësi edhe për një pagesë për vendet që nuk do të jenë anëtarë të përhershëm. Nëse do të duan atëherë duhet të paguajnë një kuotë deri në një miliard. Por këto nuk i kemi parë akoma kështu që do duhet t'i shikojmë se çfarë ka, të shqyrtohen dhe pastaj..."