Barcelona vendos dy kushte për Lewandowskin për sezonin e ardhshëm
Barcelona nuk ka ndër mend ta detyrojë Robert Lewandowskin të largohet nga “Camp Nou” këtë verë, duke i lënë sulmuesit veteran të marrë vendimin përfundimtar mbi të ardhmen e tij. Sipas raportimeve të “Sport”, klubi ka vendosur dy kushte kryesore për qëndrimin e polakut në ekip.
Lewandowski, 37 vjeç, i cili ka kontratë që skadon në fund të këtij sezoni, duhet të pranojë një rol dytësor sezonin e ardhshëm dhe një ulje të konsiderueshme të pagës. Aktualisht, sulmuesi merr 26 milionë euro bruto në vit, ndërsa Barcelona synon ta përgjysmojë këtë shumë.
Megjithatë, Lewandowski shfaq rezerva për sakrificat financiare, edhe pse dëshira për të qëndruar të paktën një sezon tjetër mbetet e fortë. Klubi e respekton maksimalisht polakun, jo vetëm për kontributin e tij në fushë, por edhe për ndikimin e tij si lider në dhomën e zhveshjes.
Problemet fizike kanë treguar një rënie nga forma e lartë e mëparshme, por Lewandowski vazhdon të jetë vendimtar në momente kyçe, si goli i tij ndaj Real Madridit në finalen e Superkupës së Spanjës, duke dëshmuar se edhe në rol më të kufizuar mund të bëjë diferencën për Barcelonën.