Luis Enrique shpërthen pas humbjes së PSG-së në Lisbonë: Futbolli është i padrejtë
Luis Enrique u shfaq i zhgënjyer dhe i frustruar në fund të ndeshjes së mbrëmshme, teksa Paris Saint-Germain u mposht në Lisbonë nga Sporting-u.
Trajneri spanjoll qëndroi për disa çaste në anë të fushës, i habitur nga ajo që kishte parë, duke e pasur të vështirë të pranonte rezultatin përfundimtar.
Në konferencën për shtyp pas takimit, Enrique nuk e fshehu nervozizmin, duke theksuar se skuadra e tij kishte bërë një nga paraqitjet më të mira të sezonit në transfertë.
“Është shumë e lehtë për t’u shpjeguar. Ky është futbolli”, deklaroi trajneri i PSG-së.
“Ishte ndeshja jonë më e mirë jashtë fushe këtë sezon. Ishim më të mirë se kundërshtarët tanë dhe e meritonim qartë fitoren”.
Spanjolli shkoi edhe më tej në analizën e tij, duke përdorur tone të ashpra për të përshkruar zhgënjimin pas rezultatit.
“Futbolli është një sport i padrejtë. Kjo është arsyeja pse humbëm. Duhet ta pranosh”, u shpreh Enrique, duke lënë të kuptohet se fati dhe episodet vendimtare nuk ishin në anën e PSG-së.
Humbja ndaj Sporting-ut e ndërlikon situatën për kampionët francezë në kompeticionin europian, ndërsa deklaratat e Luis Enrique pas ndeshjes pasqyrojnë qartë tensionin dhe presionin që po përjeton skuadra pariziene në këtë fazë të sezonit.