'Një Amerikë e fortë do të thotë një NATO e fortë'/ Trump për Groenlandën: Thoni po, do të jemi mirënjohës, thoni jo....
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka vijuar të mbrojë publikisht arsyet pse, sipas tij, SHBA-të duhet ta blejnë Groenlandën, duke u dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë udhëheqësve botërorë dhe autoriteteve përgjegjëse për këtë territor.
Në deklaratat e tij, Trump tha se Groenlanda ka një zgjedhje të qartë përpara, duke lënë të kuptohet se vendimi do të ketë pasoja në marrëdhëniet e ardhshme me Shtetet e Bashkuara.
“Mund të thoni po, dhe ne do të jemi shumë mirënjohës, ose mund të thoni jo dhe ne do ta kujtojmë,” u shpreh Trump.
Presidenti amerikan përsëriti se interesi i SHBA-së për Groenlandën lidhet me çështje strategjike dhe të sigurisë globale, duke e konsideruar këtë territor si kyç për mbrojtjen e hemisferës veriore dhe për balancat e sigurisë ndërkombëtare.
Ai e lidhi drejtpërdrejt forcën e Shteteve të Bashkuara me stabilitetin e aleancës euroatlantike, duke theksuar rëndësinë e NATO-s.
“Një Amerikë e fortë dhe e sigurt do të thotë një NATO e fortë,” deklaroi Trump, duke nënvizuar se politikat e tij synojnë forcimin e sigurisë kolektive dhe jo dobësimin e aleatëve.