'Do e ndihmojmë Europën dhe NATO-n për luftën në Ukrainë'/ Trump dyshime për aleatët: A do të qëndrojnë me SHBA-në kur...
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se SHBA-të do të vazhdojnë të qëndrojnë plotësisht në krah të NATO-s, por ka shprehur dyshime nëse aleatët do të veprojnë njësoj në rast nevoje.
Në deklaratat e tij të bëra pasdite, Trump e ktheu vëmendjen te lufta në Ukrainë, duke theksuar se NATO ka një rol kyç në ndalimin e konfliktit. Sipas tij, lufta duhet të marrë fund sa më parë për shkak të humbjeve të mëdha njerëzore.
“Ata duhet ta ndalojnë atë luftë, sepse shumë njerëz po vdesin, po vdesin pa nevojë,” u shpreh Trump, duke shtuar se si presidenti rus Vladimir Putin, ashtu edhe ai ukrainas Volodymyr Zelensky, sipas tij, janë të gatshëm për të arritur një marrëveshje.
Trump tha se është i gatshëm të ndihmojë Europën dhe NATO-n për t’i dhënë fund luftës, por theksoi se kërkesa e SHBA-së është minimale krahasuar me kontributin amerikan ndër vite në aleancë. Ai iu referua sërish Groenlandës, duke e quajtur atë “një copë akulli”.
“Kjo është një kërkesë shumë e vogël krahasuar me gjithçka që Shtetet e Bashkuara u kanë dhënë NATO-s,” tha ai.
Në përfundim, Trump nënvizoi se angazhimi amerikan ndaj NATO-s mbetet i plotë. “SHBA-të do të jenë aty për NATO-n 100%,” deklaroi ai, por shtoi se nuk është i bindur nëse aleatët do ta kthejnë të njëjtin angazhim në të ardhmen.