Goditje masive krimit të organizuar: Europol sekuestron 1,000 ton kimikate për droga sintetike
Policia evropiane tha të mërkurën se ka goditur një rrjet të madh droge sintetike që vepronte në disa vende në “operacionin më të madh ndonjëherë” të këtij lloji, duke i dhënë një “goditje masive” krimit të organizuar.
Autoritetet çmontuan 24 laboratorë në shkallë industriale dhe sekuestruan rreth 1,000 ton kimikate të përdorura për të prodhuar drogëra të rrugës si MDMA, amfetaminë dhe metamfetaminë.
“Kam kohë që merrem me këtë biznes. Ky është operacioni më i madh që kemi bërë ndonjëherë kundër prodhimit dhe shpërndarjes së drogës sintetike. Mendoj se kjo është një goditje e madhe për grupet e krimit të organizuar të përfshira në trafikun e drogës, veçanërisht të drogave sintetike”, tha për agjencinë e lajmeve AFP Andy Kraag, kreu i Qendrës Evropiane Kundër Krimit të Organizuar të Rëndë të Europolit.
Operacioni që zgjati një vit përfshinte policë nga Belgjika, Republika Çeke, Gjermania, Holanda, Polonia dhe Spanja.
U bënë më shumë se 85 arrestime, përfshirë dy të dyshuarit si udhëheqës të bandës, të dy nga Polonia, tha Kraag.
Dyshimet u ngritën në vitin 2024 kur policia polake vuri re një rrjet që importonte sasi të mëdha kimikatesh të ligjshme nga Kina dhe India.
Hetimet më vonë treguan se këto kimikate po ripaketoheshin, etiketoheshin gabimisht dhe shpërndaheshin në të gjithë Bashkimin Evropian në laboratorët që prodhonin drogat sintetike.
Shumica e të arrestuarve ishin nga Polonia, por mendohet se në operacionet kriminale kanë qenë të përfshirë edhe shtetas belgë dhe holandezë.
Strategjia e zinxhirit të furnizimit:
Kraag tha se operacioni ishte pjesë e një “strategjie të zinxhirit të furnizimit”, që synon të godasë industrinë e drogave sintetike që në burim.
Përveç rreziqeve shëndetësore që lidhen me përdorimin e këtyre drogave, Kraag vuri në dukje problemet e lidhura me dhunën, korrupsionin dhe pastrimin e parave në këtë fushë kriminale.
Prodhimi i drogave sintetike gjithashtu ka një ndikim të dëmshëm mjedisor, vuri në dukje ai.
Autoritetet sekuestruan më shumë se 120,000 litra mbetje kimike toksike që kriminelët zakonisht i hedhin në tokë ose në përrenj.
“Sot, është fitim për kriminelët. Nesër, është ndotje”, tha Kraag.
Policia ka në shënjestër objektiva të tjerë pas operacionit të suksesshëm të njoftuar të mërkurën nga Europol, agjencia policore e BE-së.
“Ky është një nga distributorët më të mëdhenj. Por nuk është i vetmi. Pra, ne ende jemi duke kërkuar”, paralajmëroi Kraag.